Nëse enët nuk shkëlqejnë të tjerat mos i llogarit. Dhe në Shqipërinë turistike larjen e tyre duket se e bëjnë më së shumti djemtë. E kemi fjalën për pjatalarësit që janë shtylla kurrizore e një restoranti të pastër dhe të mirë-menaxhuar.
Në fakt pjatalarësin ne jemi mësuar ta dëgjojmë shpesh në vitet 90 kur Shqiptarët pa ditur gjuhën e vendit ku kishin shkuar dhe pa dokumente u punësuan në shumicë rastesh nga restorantet për të larë pjata. Me sa duket nevoja e pjatalarësit në kuzhinë është ne çdo kohë e pazëvendësueshme. Pronarët e restoranteve në Dhërmi duket se e kanë zgjidhur këtë nevojë duke vendosur paga të larta për pjatalarësit të cilat shkojnë deri në 1 mijë euro. Nuk ka rrugë tjetër! Pjatalarësi është një profesion i paguar tashmë njësoj si në Shqipëri ashtu dhe në vendet fqinje. Kështu që një gjë është e sigurt. Shqiptarët nuk ikin më jashtë për të larë pjata.
18 vjeçarët simpatik (ndonëse nuk pranuan të pozonin me portret) i takuam në një prej restoranteve në Dhërmi. Ushqimi me shije në servise të pastra, ishte meritë edhe e këtyre djemve punëtor. Amarildo, njëri prej tyre na thotë se numri i pjatave që ai lan çdo ditë shkon në 500 pa përfshirë tenxheret tiganët dhe enë të tjera më të rënda. Vështirësia më e madhe sqaron ai është, ”kur kuzhinieri djeg fundet e tenxhereve dhe ne duhet ti pastrojmë, pasi ditën tjetër duhen të pastra, si të reja në mënyrë që djegia të mos ndikojë në gatimin e rradhës”. Punojnë me turne 6 deri në 8 orë në ditë.
A duhet të kesh aftësi për të larë pjata? “Më shumë seç mund ta mendoni” thotë Amarildo
“Së pari duhet të menaxhosh kohën. Të jesh një orë para gati për çdo turn“
Duhet të dish të lash enët e drurit, nuk duhen lënë gjatë në ujë, nëse ka nevojë të përdorësh lavastovilien, të dish se cilat enë lahen më shpejt dhe cilat kanë më shumë punë. Mbajtja e ritmit në kuzhinë është e rëndësishme. Duhet të tregosh vëmendje ndaj stafit tjetër dhe sidomos ti kesh miq pasi të ndihmojnë kur mbytesh në punë”
Për djemtë kjo ishte një ditë si gjithë të tjerat, për ne një histori e bukur e dy të rinjve punëtor.