Dita Ndërkombëtare e Fëmijës Vajzë festohet çdo vit më 11 tetor, një datë e caktuar nga Kombet e Bashkuara për të nxitur komunitetin global të inkurajojë ndikimet e barazisë gjinore.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka ndarë një mesazh në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijës Vajzë.
”T’i themi jo praktikës dhe preferencës për djalë sepse kush ka vajzën botën ka”, ka thënë ai, ndërsa u shpreh se Qeveria është e përkushtuar të mbështes të gjitha kategoritë pa dallim.
”I duhet shtëpisë një djalë është një shprehje që ende e dëgjojmë në shoqërinë tonë.
Dukuria që prish raportin natyror të lindjeve nuk duhet që të ketë vend më në Kosovë. Vajza jonë është dhurata më e çmuar për mua dhe Ritën. T’i themi jo praktikës dhe preferencës për djalë sepse kush ka vajzën botën ka”.
Mesazhin, kryeministri e ndau përmes një videoje, gjatë lansimit të fushatës ”Të gëzohemi me fëmijë”, drejtuar nga UNFPA. Kjo fushatë ka si synim që të rrisë ndërgjegjësimin në lidhje me çështjen sensitive të abortit selektiv në Kosovë dhe me qasjen e pabarabartë të vajzave në edukim, me qëllim të ndërmarrjes së nismave më efektive për ta adresuar këtë shqetësim.
E ndërsa nga ana tjetër në shtëpitë tona vijon të mbetet një ditë feste pasja e një djali, apo një trashëgimtari të familjes.
Pa harruar se shpesh lindja e një djali pritet me festa madhështore me zbukurime dhe qerasi për të gjithë miqtë dhe të njohurit.
Shoqëria mbetet një faktor me ndikim të lartë në preferencat e një çifti mbi gjininë e fëmijës së tyre, duke kërkuar të gjithë një djal në familjen e tyre, një mëndësi e mbetur nga e kaluara./hej.al