Në Shqipëri abortet në moshën e adoleshencës kanë nxitur diskutime mbi çështjet e shëndetit seksual dhe riprodhues. Mjekë specialistë parashtrojnë dyshimet ndaj shifrave të aborteve të grup moshës 15-19 vjeç, pasi mendojnë se ato që kryhen në institucionet shëndetësore private nuk raportohen.
Për të folur mbi rritjen e aborteve tek moshat e reja dhe sa shqetësues është ky fenomen në emisionin “Jetë Shqiptare” ishin të ftuar gjinekologu Rustem Celami, gjinekologu Erlin Kurti, Freskida Miloti farmaciste, drejtuese e programit “Diagnozë” dhe Linda Pano Koalicioni shqiptar ‘Pro Familjes dhe Jetës”.
Gjinekologu i njohur Rustem Celami tha se faktorët që ndikojnë në abort janë të shumta por duhet të punohet dhe të jepet informacion në shkolla për të parandaluar ketë fenomen.
“Është një shifër në lindje me 70-80 milion në rang global këto janë statistika të raportuara zyrtarisht. Faktorët janë të shumtë, abortet janë për arsye patologjike është një trend në rritje. Ligji për abortin kap të gjithë mjekët që ushtrojnë profesionin. Duhet të punojmë sa më shumë me edukimin në familje dhe në shkolla, me informimin, me parandalimin”, tha doktor Rustem Celami..
Edhe doktor Erlin Kurti vuri theksin tek informimi sepse për të parandaluar është më mirë se për të vepruar.
“Duke pasur parasysh statistikat e kaluara nuk është një numër shumë shqetësues. Shteti duhet të vendos ligje i cili në Shqipëri është vendosur vonë në raport me vendet e tjera por është një ligj shumë i mirë. Një ndër pikat më delikate është aborti medikal dhe synimi është të parandalojmë me çdo kusht një konceptim që në fillim. Si shoqëri duhet të bëjmë shumë për të evituar një ndërprerje shtatzënie. Një javë reflektimi është edhe në ligjin shqiptar kjo i jep kohë nënës për të vendosur dhe për të kuptuar më mirë vlerësimin e gjendjes. Nëse përpiqemi shumë raste mund ti fitojmë për të mos ndërprerë shtatzëninë. Ligji për abortin e ka të saktësuar që deri në javën e 12 lejohet ligjërisht për të bërë ndërprerje të shtatzënisë. Nuk ndeshem më me këtë fenomen këto i përkasin të shkuarës. Në mënyrë ligjore nuk ka të drejtë asnjeri të bëjë abort selektiv”, tha gjinekologu Erlin Kurti.
Freskida Miloti farmaciste drejtuese e programit “Diagnozë” tha se niveli i arsimit apo edukata seksuale janë ndër faktorët që ndikojnë në shtatzënitë e padëshiruara.
“Më ka ndodhur që të shoh me përparësi faktorët që lidhen me abortin dhe ka të bëjë me nivelin e arsimimit, me edukatën seksuale, me problematika të vet gruas, këto janë tema shumë delikate dhe mënyrat për ti parandaluar këto është ndërgjegjësimi. Shifrat janë pak të deklaruara jo të deklaruara plotësisht”, tha Freskida Miloti.
Linda Pano vuri theksin tek aborti selektiv në Shqipëri i cili është praktikuar për vite me radhë.
“Jam absolutisht kundër abortit. Duhet të mendojmë që 1 milion shqiptar janë larguar nga Shqipëria vitet e fundit dhe si pasojë është ulur numri i lindjeve dhe aborteve. Jeta është e shenjtë dhe duhet ruajtur. Një ndër problemet më të mëdha është aborti tek adoleshentët ku në 2019 ishin 22 milion adoleshentë në rang global. Aborti selektiv është një ndër plagët e shoqërisë shqiptare. Duhet të ngulim këmbë që abortet selektive as mos të mendohen”, tha Linda Pano.