Policia e Tiranës ka vënë në hetim 51-vjeçaren Gera Kulla pas denoncimit në media se ajo dhunonte qentë e saj, që i mbante në banesë. Ndaj 51-vjeçares rëndon akuza për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshës”. Keqtrajtimi apo braktisja e kafshëve është një vepër penale që dënohet me gjobë deri në 6 muaj burg.
Në emisionin “Jetë shqiptare” animalistja Jonida Cobani u shpreh se dhuna ndaj kafshëve është vepër penale dhe se kjo është një kambanë alarmi për të gjithë shoqërinë tonë.
“Me Gerën kam pasur komunikim personal jam takuar disa herë me të dhe e di që ajo ka kontribuar dhe vazhdon të kontribuoj për kafshët por duket qartë se është një krizë nervore dhe nuk e shpjegoj dot ndryshe.
Është ndryshe kur kujdesesh për kafshët në terren dhe ndryshe kur i mban në shtëpi 24 orë dhe ajo e di këtë se është pjesë e këtij grupi, është një lloj presion i madh tek ne sepse dëshirojmë të mbrojmë sa më shumë. Si akt është vërtet barbar dhe nuk e justifikoj.
Kjo është një kambanë alarmi jo vetëm për kafshëdashesit por për të gjithë ata që kanë komentuar në mënyrë brutale ndaj një njeriu ku duket qarte se ka probleme nervore. Është pamja dhe modeli më i keq për një kafshdashëse”, tha animalistja.
Ndërsa aktivistja Aferdita Halili theksoi se nëse ligji do të funksiononte atëherë duheshin bërë shembuj në mënyrë që të mësonin dhe mos dhunonin më kafshët.
“Mbeta e shokuar, mënyra e dhunës së atij qeni mbi të gjitha nga një person që ka harxhuar para për kafshët. Zonja i ka rritur me biberon këto qenush dhe për këtë kam mbetur e shokuar nga kjo video. Mund të ketë probleme mendore. E kanë shoqëruar dhe e kane lënë në hetim në gjendje të lirë ndërsa kafshët i ka marrë në mbrojtje ARSA. Gera ka kërkuar ndihmë për adoptim për qenushët dhe asnjë nga organizata nuk e ka ndihmuar, Gera ka pasur herë pas here kriza nervore. Nuk është bërë me qëllim por një moment krize, sepse Gera i do pafund kafshët. Në bazë të ligjit duhej të ishte arrestuar dhe jo të lihej e lirë dhe të dënohej me 6 muaj burg për tu bërë shembull dhe kjo duhej bërë edhe më parë”, tha aktivistja Aferdita Halili.