Chat-i popullor i inteligjencës artificiale (AI) ChatGPT tashmë ka më shumë se 180 milionë përdorues, por argjendarja Harriet Kelsall thotë se nuk bën për të.
Duke qenë disleksike, ajo pranon se përdorimi i tij mund të ndihmojë në përmirësimin e qartësisë së komunikimit të saj me klientët në faqen e saj të internetit. Por në fund ajo thotë se thjesht nuk i beson. Kelsall thotë se kur eksperimentoi me ChatGPT këtë vit, vuri re gabime. Ajo e testoi atë duke e pyetur për kurorën e mbajtur nga Mbreti Charles III në kurorëzimin e tij në maj, kurora e Shën Eduardit.
“I kërkova ChatGPT të më tregonte disa informacione për kurorën, vetëm për të parë se çfarë do të thoshte ajo”, thotë ajo. “Unë di shumë pak për gurët e çmuar në kurorat mbretërore dhe vura re se kishte pjesë të mëdha brenda tekstit rreth tij, të cilat kishin të bënin me kurorën e gabuar”.
Ndërsa ChatGPT është bërë jashtëzakonisht popullor që nga prezantimi i tij një vit më parë, ngurrimi i Kelsall për ta përdorur atë duket të jetë dukshëm më i zakonshëm tek gratë sesa tek burrat. Ndërsa 54% e meshkujve tashmë përdorin AI në jetën e tyre profesionale ose personale, vetëm 35% të grave për përdorin AI, sipas një sondazhi në fillim të këtij viti.
Cilat janë arsyet për këtë hendek kaq të dukshëm gjinor të përdorimit të Inteligjencës Artificiale dhe a duhet të jetë shqetësues?
Ekspertja e AI Jodie Cook thotë se ka arsye më të thella dhe më të rrënjosura pse gratë nuk po e përqafojnë teknologjinë aq shumë sa burrat.
“Fushat si shkenca, teknologjia, inxhinieria dhe matematika tradicionalisht janë dominuar nga meshkuj. Tendenca aktuale në adoptimin e mjeteve të AI duket se pasqyron këtë pabarazi, pasi aftësitë e kërkuara për AI janë të rrënjosura në disiplinat Stem.
Në MB, vetëm 24% e fuqisë punëtore në të gjithë sektorët Stem janë gra dhe si pasojë gratë mund të ndihen më pak të sigurta duke përdorur mjetet e AI”, thotë Cook.
“Edhe pse shumë mjete nuk kërkojnë aftësi teknike, nëse më shumë gra nuk e shohin veten si të aftë teknikisht, ato mund të mos eksperimentojnë me to.
Dhe AI gjithashtu duket ende si fantashkencë. Në media dhe në kulturën popullore, trillimet shkencore priren të tregtohen për burrat.”
Psikologu Lee Chambers thotë se të menduarit dhe sjellja tipike femërore mund të pengojë disa gra të përqafojnë AI.
“Është hendeku i besimit – gratë priren të duan të kenë një nivel të lartë kompetence në diçka përpara se të fillojnë ta përdorin atë”, thotë ai. “Ndërsa burrat priren të jenë të lumtur, pra të kënaqur, për ta përdorur diçka, edhe pa shumë kompetencë.”
Chambers thotë gjithashtu se gratë mund të kenë frikë të mos vihet në dyshim aftësia e tyre, nëse përdorin mjete të AI.
“Gratë kanë më shumë gjasa të akuzohen se nuk janë kompetente, kështu që ato duhet të theksojnë më shumë kredencialet e tyre për të demonstruar ekspertizën e tyre në një fushë të caktuar”, shton psikologu.
Ose siç thotë Harriet Kelsall: “Unë vlerësoj autenticitetin dhe kreativitetin njerëzor”./Hej.al