Ledja Canaj, gazetarja shqiptare që e zhvilloi profesionin e saj përtej kufijve të Shqipërisë, e ftuar tek emisioni i pasdites me Rudina Magjistarin, ka treguar për fillimet e jetesës jashtë vendit, duke zbuluar se dy vitet e para kanë qenë tepër të vështira për të dhe vajzën e saj.
“Prej 7 vitesh në Bruksel, viti i parë ka qenë i vështirë. Unë isha një gazetare shqiptare që shkova dhe shikoja kampet e refugjatëve në vend të parë. Dhe kam kuptuar, që ne shumë informacione i japim kot, kam gjykuar veten, cilësinë e punëve tona, që i bëjmë sa për të thënë që u bënë, jo substancë, jo realisht informacion. Kjo eksperiencë jete të bën të kuptosh që t’i japësh gjërave më shumë kuptim, të bën të thuash, ‘prit sepse këtu ka disa mekanizma që mungojnë’. Kjo periudhë zgjati një vit në kamp, në një ambient 20 m2, rreth 12 veta. Ka qenë fluksi i 2016-ës që ka ceduar në të gjithë Europën, kam qenë me vajzën. Dhe një vit më pas kam ndarë banesën me një kuzhinë të përbashkët, me një shtetase të Afrikës e cila ishte me dy fëmijët e saj të mitur.
Qëllimi im ishte që vajzës t’i tregoja, që bota është më e madhe, situata të tilla janë të përkohshme, por t’i nxjerrim atyre më të mirën. Më është dashur të motivoja veten. Por e kam mbajtur veten çdo ditë të angazhuar. Unë shkruaja çdo ditë në kamp, bëja intervista azilantëve të ndryshëm etj. Doja t’ i njihja këta njerëz, sepse do bëheshin bashkudhëtarët e mi. Më pas punët erdhën njëra pas tjetrës, po ashtu dhe radio. Kur ika në Bruksel isha Ledja, një grua e divorcuar me një fëmijë, bjonde dhe shqiptare. Një steriotip që paragjykohet. Por ama ne vijmë nga një terren interesant dhe duam ta tregojmë me vepra atë që duam të jemi.”, u shpreh ajo.
Ledja sot është themeluese e ‘Shqip-ville’, në një nga ndërtesat historike të sheshit në Bruksel e kthyer në një shtëpizë pritjeje që bën bashkë të gjithë komunitetin shqiptar atje./Hej.al