Sot u nda në moshën 73-vjeçare nga jeta mjeshtri shkodran i humorit, Zef Deda.
Batutat e tij i kanë rezistuar kohërave që kur u ngjit për herë të parë në teatrin “Migjeni” 40 vjet më parë. Zhdërvjelltësia në skenë i ka lënë mbresat edhe te kolegët e tij, një pjesë të ftuar edhe te “Jetë shqiptare”.
Aktorja Drande Xhaji, bashkëqytetarja e të ndjerit Deda, tha se vetëm dy ditë më parë e takoi për herë të fundit.
“Ai para dy muajve nuk ka dalë nga shtëpia, por ne vetëm dy ditë më parë e takuam në shtëpinë e tij. Ishte në fundin e tij dhe na jepte zemër ne. Amaneti i tij ishte që të ringrihej edhe një herë estrada e Shkodrës ashtu e lavdishme siç ka qenë në kohën e Zefit. Domethënë të krijohet një grup i ri i estradës që ajo të vazhdojë. Këtë e ka pasur gjithmonë ëndërr, dëshirë dhe shqetësim të tijin,” u shpreh znj. Xhaji.