Habibe Duraki, e para grua shqiptare si nënkryetare e komunës Evere në Bruksel ka rrëfyer në “Jetë Shqiptare” rrugëtimin e saj në politikë, karriera e së cilës e ka zanafillën 10 vite më parë.
“Është një histori rastësore. Isha studente në magjistraturën në kriminologji. U afrova për të marrë pjesë në degën e partisë në komunën time. Ata të degës sime në komunë, më besuan shumë përgjegjësi, në këshilla të ndryshme, me studimet që kisha bërë. Për pyetjet dhe debatet në shoqëri kisha bagazhin për të debatuar dhe për të pasur një shikim kritik për shoqërinë.
Arsyeja e parë është që gjatë studimeve të mia, luftërat për të drejtat sociale, shoqërore, shëndetësore, në Belgjikë kanë qenë luftëra të së majtës. Dhe si e huaj, ka qenë ajo parti që jam ndjerë më e afërt në luftërat që kam mbrojtur”, tha ajo.
Duraki rrëfeu më tej vështirësitë që ka hasur gjatë rrugëtimit në politikë, ndërsa u ndal gjithashtu te fitorja e vitit 2018.
Duraki deklaroi se ka pasur përkrahje të jashtëzakonshme, ndërsa zbuloi dhe çelësin e suksesit të saj.
“Ka patur vështirësi rrugëtimi në politik, sepse është dhe ai mendimi i keq, që nëse është dëgjuar për shqiptarët është dëgjuar vetëm për keq.
Puna dhe investimi kalon paragjykimet.
Erdhi viti 2018 dhe më ofruan për të qenë kandidate. Ishte hera e parë që isha kandidate në zgjedhje. Mësimi më i mirë është në terren. Ishte e mahnitshme. Disa më thoshin ke potencial. Banoj në një komunë ku janë shumë shqiptarë nga të gjitha trevat. Kam patur përkrahje të papritura.
Ti je shumë modeste në komunikim dhe e afërt me njerëzit. Për shkak të punës që kam bërë, jam frymëzuar dhe nga prindërit dhe mendoj se kjo ka ndihmuar që të krijojë atë afërsi dhe të fitoj besimin e tyre”, shtoi Duraki, teksa zbuloi në emision dhe synimet për vitin 2024.
“Viti 2024 është dhe më special se ka dy nivele zgjedhjesh, zgjedhjet lokale, dhe zgjedhjet rajonale. Kjo do ndikojë në koalicion. Gara mendoj se sapo ka filluar.
Për nënkryetare patjetër që dëshiroj të vazhdoj, por për më lart ende nuk e di”, tha Duraki.