Këngëtarja e njohur Shkurte Fejza ka rrëfyer për emisionin “Jetë Shqiptare” se si lindi kënga “Mora Fjalë” që tashmë është kthyer gati në një himn gjatë ndeshjeve të kombëtares shqiptare.
Fejza ka theksuar se kënga është regjistruar në vitin 2001 dhe kjo këngë është respekt për familjen Jashari për atë ccfarë ka bërë në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Kënga mora fjalë është regjistruar që në vitin 2001 dhe që atëherë ka qenë shumë e dashur për të gjithë ata që e kanë dëgjuar. Sot ka marrë hov dhe është në një nivel tjetër.
Është historia që na ka ndjekur pas dhe respekti për familjen Jashari, respekti për lirinë e fituar në Kosovë, dhe njerëzit e këndonin me shumë dashuri”, u shpreh Fejza.
Pjesë nga intervista
Çfarë ka ndodhur që pas 22 vjetësh të marrë një jehonë të tillë, për më tepër në stadiume?
Shkurte Fejza: Është historia që na ka ndjekur pas dhe respekti për familjen Jashari, respekti për lirinë e fituar në Kosovë, dhe njerëzit e këndonin me shumë dashuri. Pastaj u përhap dhe i gjithë ky sukses u arrit sidomos edhe në stadium kur u këndua. Unë ia dedikoj edhe fansave të mi, por edhe tifozëve kuqezi.
I keni lexuar komentet që e kanë cilësuar si një zëvendësim të himnit kombëtar, këngën tuaj, si kanë ardhur te ju këto komente?
Shkurte Fejza: Për mua janë të mirëseardhura, sepse kjo këngë ka marrë këtë përmasë. E këndon gjithë populli, është himn popullor, pastaj institucionet kanë punën e tyre. Unë asnjëherë nuk e kam përmendur se si do të jetë. Mirëpo jam e stërkënaqur dhe krenare që këgën për Adem Jasharin e këndojnë të gjithë.
A keni një koment për ata që e cilësojnë këngën të papërshtshme për t’u kënduar në stadiume?
Shkurte Fejza: Kam lexuar disa komente që nuk e di ccfarë të them dhe nuk e di pse kanë komentuar ashtu. E kam konsideruar që ccfarë kanë pasur zor me dhënë mendime të tilla kur këtë këngë e këndon i gjithë populli shqiptar. Prandaj duhet të biesh në kundërshti me të gjithë. ka qenë koment i panevojshëm.
A e ka vështirësuar punën tuaj si artiste sepse tani ju duhet një këngë më të mirë për të superuar “Mora Fjalë”?
Shkurte Fejza: Është e vërtetë. Mirëpo gjatë karrierës kanë ndodhur disa fenomene. Edhe kënga “Xhamdani vija-vija” që e kam bërë në vitin 1992, edhe ajo ka marrë krahët me fluturuar dhe e ka kënduar i gjithë populli. Kjo është një këngë biografi e imja dhe kam dashur me e shënuar herën e parë që shkel tokën mëmë. Po mendoj dhe po pres, se kam shumë këngë që më vonë ndoshta do të dalin dhe do të bëhen jo kaq të ngjashme sa “Mora Fjalë” por do të bëhen të njohura për popullin.