Një vrasje makabër ka tronditur opinionin publik amerikan dhe shqiptar këtë fillim viti. Një punonjës policie ka vrarë gruan e tij shqiptare dhe 2 djemtë e tyre 10 dhe 12 vjeç.
Autor i vrasjes raportohet se ishte vetë babai i familjes, oficeri i policisë Uatson Morgan (o. Watson), i cili po ashtu u gjet i vetëvarur në vendngjarje.
Në “Jetë shqiptare”, Eliona Gjergo tregoi si e përjetoi ndarjen nga jeta të mikeshës së saj, të ndjerës Ornela Morgan Rori, shqiptares me origjinë nga Korça.
“Lajmin e mora vesh nga një postim në rrjetet sociale dhe filluam secila nga shoqet ta shpërndanim shokun që kishim pësuar në atë moment. Unë komunikoja me Ornelën virtualisht, sepse unë jetoj në Athinë, ndërsa Ornela në Amerikë. Ajo dukej dhe e tregonte që ishte një bashkëshorte dhe mama e lumtur me një familje perfekte. Kjo ishte në dukje, në fotografitë e tyre, nga udhëtimet e ndryshme,” tha znj. Gjergo.
Sipas mikeshës tjetër, Ada Furxhi, e gjithë Amerika është shokuar nga kjo ngjarje e rëndë.
“Ne jetonim larg, ndoshta 12 orë me makinë. Herën e fundit e kam takuar para 5 vjetësh, por flisnim me telefon. Mesazhet tona të fundit ishin në lidhje me Krishtlindjet. Më tha që do i kalonte me shumë familjarët e saj që ndodhen në Masaçusets. Folëm edhe për fëmijët, për nisjen e shkollës. Nuk e di, sepse ishte gjithçka shumë mirë – ajo ishte e aktivizuar, punonte me kohë të plotë dhe kishte fëmijë shumë të sjellshëm,” u shpreh znj. Furxhi.
Autori i ngjarjes duhej të kishte turnin e punës më 31 dhjetor 2023, ditën kur ndodhi vrasja. Oficeri mbante gradën rreshter dhe ishte dekoruar për shërbimin e tij. Arsyet e vrasjes mbeten të pasqaruara dhe u zbulua vetëm pasi oficeri nuk ishte paraqitur në punë.