Nga Neli Demi
Në pamje të parë trajtimi i kësaj teme psikoanalitike, e cila sigurisht nuk ka asnjë synim justifikues për aktin e tmerrshëm të ndodhur në Shënavlash të Durrësit, mund të duket i papërshtatshëm në raport me ngjarjen. Në fakt është totalisht e kundërta!!!
“Vrasja e babait” në këndvështrimin Frojdian (si pjesë e konceptit të “kompleksit të Edipit”) është një domosdoshmëri për krijimin e një rendi social që do të ndalonte të gjitha vrasjet e mëpastajshme.
Për të shmangur çdo lloj zgurdullimi sysh nga lexuesit e pa edukuar me konceptet psikoanalitike, më duhet që të theksoj që bëhet fjalë për vrasjen metaforike dhe jo fizike të babait. Bëhet fjalë për atë proces të domosdoshëm që përmbyll kalimin nga një fëmijë në një të rritur. Proces i cili lehtësohet nga prindër të cilët heqin dorë gradualisht e vullnetarisht nga autoriteti absolut ndaj fëmijëve të tyre për t’i lejuar atyre për tu shëndrruar nga djali/vajza në babain/nënën e fëmijëve të tyre.
Fatkeqsisht sa më patriakale të jetë një shoqëri aq më të pakta janë rastet kur prindërit e pranojnë pa rezistencë të konsiderueshme “vrasjen” e tyre. Pjesa më e madhe e fëmijëve, tashmë të rritur biologjikisht, detyrohen të përballen gjatë dhe fort me prindërit për ta fituar këtë të drejtë dhe psikologjikisht kjo përballje shkakton dhimbje/simptoma në të dyja palët. Një pjesë tjetër nuk ia dalin dot e mbesin për shumë kohë apo përgjithnjë “fëmijë” duke përsëritur të njëjtën gjë me fëmijët e tyre.
Dhe një pjesë tjetër, fatmirësisht shumë e vogël por të mbajtur dhunshëm si fëmijë ( varësi psikologjike e financiare, bindje absolute, ndëshkim e kërcënim fizik e psikologjik) reagojnë po dhunshëm duke sjellë pasoja fatale për të tjerët dhe veten./