I përlotur, gazetari Taulant Kopliku ka kujtuar në studion e “Jetë Shqiptare” përjetimet gjitha përpjekjeve për të shpëtuar vogëlushin Alvin Berisha nga kampi i ISIS, Al-Hol.
Teksa rrëfeu vështirësitë e kaluara, madje edhe duke rrezikuar jetën për të shkuar në kampin ku qëndronte Alvini, Kopliku shprehet se komanda, shumë ftohtë, i ishin përgjigjur se nuk mund t’ia jepnin fëmijën.
“Aksioni në kampin Al-Hol. Ne ishim në 2019, por provuam edhe në 2016 dhe 2017, kur ende ISIS kontrollonte ato zona, kemi tentuar të tërheqim një fëmijë shqiptar me banim në Itali, Alvin Berishën dhe në të dy rastet kemi dështuar. Çdo gazetar kur shkon në zona konflikti duhet të ketë një persona apo një grup personash që organizojnë të gjithë punën. Në një moment u afruam edhe në kufi, ku shihnim tymin e zi dhe dëgjuam të shtënat, por nuk ja dolëm. Kishin informacion që fëmija ndodhej aty.
Kaluan më shumë se 2 vite kur na erdhi informacion që fëmija ndodhej në Al-Hol. ISIS kishte rënë dhe zona kontrollohej nga kurdët, por jo të gjithë territorin. Kemi lëvizur në zona jo të rekomandueshme dhe kemi mbërritur në Al-Hol. Aty ishte drama njerëzore, ne ishim me babanë e fëmijës dhe donim të merrnin fëmijë. Ishin 80 mijë persona, përfshirë gra dhe fëmijë shqiptarë, në një kamp në mes të shkretëtirës me mungesë të theksuar higjiene, uji, ushqimesh. Ishte shokuese, njeriu ngrin në ato momente. Fëmijët na ndiqnin për të kërkuar lëmoshë. Shumë ftohtë, komanda e kampit nuk na e dha fëmijë. Në ato momente kemi lotuar të gjithë, e gjithë trupa jonë”, u shpreh ai.