Arkitektja Viola Cengu nga studio “Arkitekti im” e ftuar në Livingroom nga Brunilda Lahe në Vizion Plus tregoi në detaje si dukej nga brenda arredimi i një vile në Gjirin e Lalëzit.
Arkitektja tregoi se në një shtëpi pranë detit duhet të shfrytëzosh çdo fije drite që vjen nga jashtë prej pamjes së bukur që dhuron bregdeti.
“Kjo është një shtëpi e dytë plazhi, në të cilën ne kemi ruajtur po ashtu tonet e ngjyrës blu dhe të barhdë edhe në arredimin e brendshëm të saj. Shtëpia ka një ambient të gjerë përpara të gjelbëruar, i cili mund të shfrytëzohet mbrëmjeve të verës për barbikju.
Në pjesën e sallonit është shfrytëzuar e gjithë fasada për të qenë e mbushur me dritë dhe për të sjellë pamje nga jashtë objektit.
Po ashtu këtu pranë dhomës së ndenjes ndodhet edhe kuzhina e gatimit. Çdo hapësirë është përdorur pë të qenë në funksion të plotë të gatimit të së zonjës së shtëpisë, në mënyrë që gatimi të jetë një kënaqësi më shumë se një punë, ndërsa familja është me pushime.
Korridori është si një ekspozitë e vogël me detaje që të sjellin detin në mendje, por duke u kujdesur edhe për dëshirat e fëmijëve gjatë këtij dekori.
Dhoma e gjumit është e një stili minimalist që të mbush me energji dhe ka një finesë dhe elegance. Krevati është i thjeshtë dhe nuk ka materiale të komplikuara, por është dru i thjeshtë për të qenë sa më afër toneve të gjithë dhomës.
Elementet e ndriçimit kanë prekjen e linjës së kashtës duke krijuar një lidhje harmonike me drurin dhe ndriçimin.”, u shpreh arkitektja./Hej.al