Nga Artan Fuga
Kur shoh se si ka disa vajza të reja që në rrugën e shpejtësisë së lartë Tiranë – Durrës, vozisin me 130 km në orë, parakalojnë djathtas, të qepen një metër larg bishtit të makinës dhe gati të shtyjnë t’u hapësh rrugë, të japin sinjale të frikshme me drita që të kërkojnë të bësh mënjanë pavarësisht kontekstit, të hapësh krahun shpejt, kur në veturë shohin telefonat, njësoj si ca djem e burra të “fortë”, bindem për dicka:
Shoqëria nuk fiton asgjë nëse emancipimi kuptohet që femra ta vozisë makinën si i fortë, pra të bëhet burrë, madje i keq, që politikania të bëjë gojë të ndyrë si deputët burracakë gojëpisët, që vajza të dehet si pijanec hajvan, etj.
Femra nuk ka nevojë të bëhet burrë për t’u barazuar me burrin.
Në të gjitha rastet, femra mund të mbetet e tillë, femër, plot hijeshi, dhe t’i tregojë burrit shembullin e një qenieje të lartë, të edukuar, të hijshme, të mençur, të kujdesshme, të matur.
Burri ka nevojë urgjente të feminizohet, shoqëria ka nevojë t’i ikë karakterit të vet supermacist, ndyrësisht viril, edhe kur në krye mund të jenë gra, dhe t’i hapë rrugë një kulture feministe, kurse femra nuk ka përse bëhet burrë, duke i ikur trishtueshëm vlerave të veta që asnjë burrë nuk i ka.