Është ndarë nga jeta këtë të premte aktori i mirënjohur i humorit, Zef Deda në moshën 73-vjeçare. Shkak për ndarjen e tij nga jeta është bërë një sëmundje e rëndë, me të cilën mjeshtri i madh i humorit po përballej prej kohësh. Zef Deda është një nga komedianët më të mirë në vend, i cilësuar edhe si Charlie Chaplin i Shqipërisë. Aktori ka spikatur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Zef Deda lindi në Shkodër më 27 korrik 1950. Ka punuar për më shumë se 40-vite në Teatrin Migjeni të Shkodrës.
Talenti i tij spikat që në moshë të vogël. Me një shkathtësi dhe me një plastikë të shkëlqyer psiko-fizike ai arrin të realizojë qindra figura artistike. Zef Deda është edhe babai i aktorit po shumë të njohur, Julian Dedës.
Zef Deda ka interpretuar edhe shumë komedi si: “Vëllai nga babai”, “Kollovari”, “Big Brother Shkodra 1”, “Big Brother Shkodra 2”, etj.