Ditën e djeshme biblioteka “Hamit Beqja” u pasurua me 116 libra, një sërë tituj librash të gjinive të ndryshme në gjuhën gjermane. Nën kujdesin e veçantë të Bashkisë Tiranë, me pjesëmarrjen e nënkryetares së bashkisë , zonjës Keti Luarasi, ambasadorit të Austrisë zotit Dr.Christian Steiner dhe dhuruesit zotit Dr. Hans Spernbauer u realizua aktiviteti i dhurimit.
“Në momentin që mësojmë një gjuhë të re, i kemi hapur vetes horizonte të reja, dhe ju jeni në momentin më të rëndësishëm për ti hapur horizonte të reja jetës tuaj”-iu drejtua zonja Luarasi nxënësve të pranishëm, dhe i ftoi ata të marrin pjesë dhe të frekuentojnë aktivitete të ndryshme lidhur me librin.
“Duhet të mendojmë për zgjerimin jo vetëm institucional por edhe privat në shërbim të të gjitha gjimnazeve përreth. Ishte një ide shumë e mirëmenduar dhe një iniciativë shumë interesante” – u shpreh zoti Steiner, duke falenderuar bashkinë e Tiranës për hapësiren që iu ofron të rinjve për të thelluar njohuritë e tyre të gjermanishtes përmes librave.
“Nga nxënesit tanë kemi degjuar të shprehen se gjermanishtja është një gjuhë e vështirë, ndaj jemi përpjekur të krijojmë një bibliotekë të vogël në mënyrë që ata të jenë në kontakt të vazhdueshëm me gjuhën gjermane. Menduam që përse jo,këtë kontakt ta kenë jo vetëm nxënësit tanë por edhe të gjithë dashamirësit e bibliotekës.” – u shpreh zoti Spernbauer, njëkohësisht edhe themeluesi AIEx/Qendra e provimeve ÖSD.
“Leximi është i rëndësishem jo vetëm për zgjerimin e horizontit, por edhe për rritjen e kohës së përqëndrimit tek të rinjtë e sotshëm.” – ishte një nga këshillat më me vlerë që iu dha gjimnazistëve të pranishëm.
Aktiviteti u përmbyll me një falenderim të përzemërt nga nxënësit, drejtuar organizatorëve për këtë nismë kaq të vlefshme për ta./hej.al