Mirush Kabashi ndërroi jetë mëngjesin e kësaj të marte në moshën 75-vjeçare. Ai është aktor i rreth 100 roleve, në teatër dhe filma. Shpesh ka qenë edhe prezantues i aktiviteteve të shumta artistike ndërsa është cilësuar si një nga interpretuesit më të jashtëzakonshëm të poezisë në Shqipëri. Ai ka dhënë një kontribut të madh në filmografinë shqiptare.
Për këtë humbje të madhe personalitete në vend kanë shkruar, duke e vlerësuar kontributin e tij ndër vite për artin shqiptar. Për vdekjen e Kabashit kanë reaguar në rrjete sociale artistë nga fusha të ndryshme si Çun Lajçi, Ilir Shaqiri, Lorik Cana, Besa Kokëdhima, Xhemi Shehu, Vesa Luma, Filloreta Raçi.
Regjisori Bujar Kapexhiu është shprehur se artistët si Mirush Kabashi janë të rrallë.Në një intervistë regjisori u shpreh se Mirush Kabashi ishte i përsosur në të gjitha zhanret dhe ndarja e tij nga jeta ishte humbje e madhe.
Në një prononcim për mediet, aktori i mirënjohur Xhelal Tafaj, i cili ka vënë në skenë dhjetëra shfaqje së bashku me Mirush Kabashin, shprehu dhimbjen për humbjen e një miku të madh, të cilin e takoi në moshë të fare të re dhe u rritën bashkë në skenën e artit.
Artistët, ikin vetëm fizikisht nga kjo botë. Ata mbeten të përjetshëm me veprat që kanë lënë pas./hej.al