Këtë vit debutoi në Sanremo, BigMama, 23-vjeçarja me origjinë një fshat në provincën e Avellino, e cila emrin real e ka Marianna Mammone. E përfolur shumë për këngën e saj, e reja është aktualisht artistja më e diskutuar e festivalit.
Arsyeja? Kënga e saj, quhet “La rabbia non ti basta” (“Zemërimi nuk mjafton”), një këngë shumë e fuqishme që ka ritme rap, dance dhe pak elektronike.
Marianna po përflitet shumë prej faktit se kënga vjen si një dedikim ndaj vetes. E shkruar si një letër ndaj vetes, BigMama ka folur për dhimbjet që ka ndjerë në 23 vite të jetës së saj. Duke nisur nga bullizimi prej pamjes dhe peshës e deri tek abuzimi seksual, këngëtarja pranon se muzika e ka ndihmuar të shërojë shumë nga këto plagë.
“Kur më tallnin duke shkuar në shkollë me autobus, vendosja kufjet dhe vetëm dëgjoja muzikë. Kur isha 13 vjeç nisa të shkruaja këngë dhe të shfryja inatin dhe nervat në këngë”, ka rrëfyer BigMama.
Këngëtarja e njohur ka deklaruar se shpreson të ndihmojë këdo që dëgjon të ndihet më mirë dhe të mos mendojë se është vetëm pavarësisht çfarë po kalon.
Përveç gjithë problemeve që ka listuar, Marianna ka kaluar edhe tumor kur ishte 20 vjeç. Pas 12 ciklesh kimio, ajo arriti ta mposhtë tumorin.
“Unë vij nga një familje e varfër, jam një grua, repere dhe e shëndoshë. I kam të gjitha”, ka thënë në një intervistë këngëtarja, e cila tashmë e ka kthyer në mision të ndihmojë të rinjtë me përkushtimin social dhe nëpërmjet muzikës.
Pavarësisht performancës shumë të bukur që dha në skenë më zërin e fuqishëm dhe stilin unik, në media, e komente në rrjete sociale BigMama përsëri u komentua negativisht. Një gazetar bëri një postim duke komentuar fizikun e këngëtares. Ndërsa drejtues të festivalit kërkuan të merren masa nga Burimet Njerëzore të Rai1 për deklaratën në fjalë./hej.al