Studimi i kryer nga studiues në Universitetin e Harvardit në Shtetet e Bashkuara, vjen në një kohë kur shumë vende po përballen me ritme në rritje të sëmundjes së Alzheimerit dhe formave të tjera të demencës, në mes të plakjes së popullsisë.
Sipas studiuesve, përdorimi i vajit të ullirit në vend të yndyrave si margarina dhe majoneza mund të zvogëlojë rrezikun e vdekjes nga demenca.
Demenca përfshin një sërë shkaqesh që ndikojnë në kujtesën dhe aftësitë e tjera mendore të njeriut. Alzheimeri është lloji më i zakonshëm i demencës.
Në studim u analizua marrëdhënia midis dietës dhe vdekjes së lidhur me demencën, shkencëtarët analizuan pyetësorët dietik dhe të dhënat e vdekjeve të më shumë se 90,000 qytetarëve amerikanë gjatë tre dekadave. Prej tyre, 4,749 janë regjistruar si të vdekur nga demeca.
Ata zbuluan se njerëzit që konsumonin më shumë se gjysmë lugë gjelle vaj ulliri çdo ditë kishin një rrezik 28 për qind më të ulët për të vdekur nga demenca krahasuar me ata që nuk konsumonin asnjëherë ose rrallë herë vaj ulliri.
Studimi tregoi se si zëvendësimi i një lugë margarinë ose majonezë me vaj ulliri çdo ditë, lidhej gjithashtu me një rrezik më të ulët të vdekjes nga demenca e cila shkon 8-14 për qind.
“Studimi ynë përforcon udhëzimet dietike që rekomandojnë vajra bimore si vaji i ullirit dhe sugjeron që këto rekomandime jo vetëm mbështesin shëndetin e zemrës, por potencialisht edhe shëndetin e trurit,” tha Anne-Julie Tessier, një studente postdoktorale në Shkollën e Shëndetit Publik të Harvardit TH Chan.
“Zgjedhja e vajit të ullirit, një produkt natyral, në vend të yndyrave si margarina dhe majoneza është një zgjedhje e sigurt dhe mund të zvogëlojë rrezikun e demencës fatale”, tha Tessier.
Hulumtimet e mëparshme kanë sugjeruar se njerëzit që përdorin vaj ulliri në vend të yndyrave të përpunuara ose shtazore priren të kenë dieta më të shëndetshme dhe potencialisht rezultate më të mira shëndetësore. Disa studime kanë lidhur konsumimin më të lartë të vajit të ullirit me një rrezik më të ulët të sëmundjeve të zemrës.
Për këtë studim, Tessier vuri në dukje se marrëdhënia midis vajit të ullirit dhe rrezikut të vdekshmërisë nga demenca në këtë studim ishte e pavarur nga cilësia e përgjithshme e dietës – gjë që mund të sugjerojë se vaji i ullirit ka veti që janë unike të dobishme për shëndetin e trurit.
“Disa përbërës antioksidues në vajin e ullirit mund të kalojnë barrierën gjak-tru, duke pasur potencialisht një efekt të drejtpërdrejtë në tru”, tha Tessier.
Është gjithashtu e mundur që vaji i ullirit të ketë një efekt indirekt në shëndetin e trurit duke përmirësuar edhe shëndetin kardiovaskular.
Megjithatë, hulumtimi në këtë fazë është vëzhgues. Studime të mëtejshme do të nevojiten për të konfirmuar efektin, por studiuesit thanë se studimi forcon provat se përdorimi i vajit të ullirit në vend të yndyrave të tjera mund të ndihmojë në mbështetjen e një diete të shëndetshme. Hej.al