Pse ju pickojnë mushkonjat? Pse tërhiqen nga ju dhe jo nga njerëzit që keni pranë? Shkencëtarët thonë se; mund të jetë aroma juaj.
Hulumtimet e reja sugjerojnë se disa njerëz prodhojnë kimikate të lidhura me erën që mushkonjat e konsiderojnë tërheqëse dhe të papërmbajtshme.
Disa njerëz janë me të vërtetë “magnete mushkonjash” thonë rezultatet e një studimi të ri.
Shkencëtarët në Shtetet e Bashkuara zbuluan se njerëzit që janë më tërheqës për mushkonjat prodhojnë shumë kimikate të caktuara në lëkurën e tyre që janë të lidhura me erën dhe i bëjnë ato të papërmbajtshme për insektin gjakpirës.
“Nëse keni nivele të larta të kësaj lënde në lëkurën tuaj, ju do të jeni personi që do të merrni të gjitha pickimet”, tha autorja e studimit Leslie Vosshall, një neurobiologe në Universitetin Rockefeller në Nju Jork.
“Ka shumë mendime dhe hipoteza mbi faktin se përse disa njerëz pickohen më shumë, por shumë pretendime nuk mbështeten me prova të forta”, tha ajo.
“Për të vënë në provë magnetizmin e mushkonjave, kërkuesit projektuan një eksperiment që vendos aromat e njerëzve përballë njëra-tjetrës”, shpjegoi autorja e studimit Maria Elena De Obaldia. Gjetjet e tyre u publikuan së fundmi.
Ata morën 64 vullnetarë nga universiteti dhe ju vendosën atyre çorape najloni rreth parakrahëve për t’ju marrë erën e lëkurës. Çorapet u vendosën në kurthe të veçanta për mushkonjat në fund të një tubi të gjatë dhe më pas u lëshuan dhjetëra mushkonja.
“Mushkonjat u grumbulluan te subjektet më tërheqëse,” tha De Obaldia. “U bë shumë e qartë menjëherë“.
‘Magneti’ më i madh i mushkonjave ishte rreth 100 herë më tërheqës për mushkonjat sesa vendi i fundit në klasifikim.
Eksperimenti përdori mushkonjën Aedes aegypti që përhap sëmundje si ethet e verdha dhe Zika. Vosshall tha se ajo do të priste rezultate të ngjashme nga llojet e tjera, por do të kishte nevojë për më shumë kërkime për ta konfirmuar.
Nga të përzgjedhurit për eksperiment, studiuesit gjetën një faktor të përbashkët: magnetët e mushkonjave kishin nivele të larta të disa acideve në lëkurën e tyre.
“Mushkonjat janë elastike. Ata kanë shumë plane rezervë që të mund të na gjejnë dhe të na pickojnë” tha Leslie Vosshall Neurobiologe dhe autore e studimit
“Këto “molekula të yndyrshme” që u zbuluan në trupat e individëve të cilët vuajnë pickimin e mushkonjave janë pjesë e shtresës natyrale hidratuese të lëkurës dhe njerëzit i prodhojnë ato në sasi të ndryshme”, tha Vosshall.
Hulumtimi mund të ndihmojë në gjetjen e metodave të reja për të larguar mushkonjat. Mund të ketë mënyra për të ndërhyrë me bakteret e lëkurës dhe për të ndryshuar aromat tërheqëse të njerëzve.
Megjithatë, gjetja e mënyrave për të luftuar mushkonjat nuk është e lehtë, pasi krijesat kanë evoluar për të qenë “makina kafshuese në çdo kohë”. Studiuesit gjithashtu bënë eksperimentin me mushkonjat, gjenet e të cilave u redaktuan për të dëmtuar shqisën e tyre të nuhatjes, por insektet ende u grumbulluan në të njëjtat magnet mushkonjash.
“Mushkonjat janë elastike,” tha Vosshall. “Ato kanë shumë plane rezervë për të qenë në gjendje të na gjejnë dhe të na kafshojnë“.