Shumë prej nesh po bëjnë gati valixhet, çantat e po ikin me pushime. Një pjesë mendohen seriozisht se në sa bagazhe duhet të kufizohen, një pjesë tjetër marrin sa më shumë të jetë e mundur në mënyrë që me vete të kenë gjithçka. Mirëpo nëse e keni vënë re, vitet e fundit po ndodh diçka në lidhje me peshën tuaj të udhëtimit.
Me destinacionet turistike që shtohen çdo muaj të vitit dhe me operatorët turistik që gjithnjë e më shumë po këshillojnë pasagjerët të paketojnë më pak (nëpërmjet ofertave dhe kufizimeve), a jemi gati për një udhëtim “me rrobat e trupit”, pra për një të ardhme ultra të lehtë?
Nëse fluturojmë drejt një destinacioni veror në valixhen tonë aktualisht ka; shumë rroba të stileve të ndryshme, pasuar nga syze dielli, rroba banje, sandale, atlete, kremra për diellin dhe fytyrën, libra etj. Megjithëse atje ku shkojmë bën nxehtë një triko apo xhaketë e fusim në valixhe për çdo rast. Me ofertat e linjave ajrore, të cilat ofrojnë udhëtime shumë më të lira pa bagazhe shumë prej nesh do të rivlerësojnë se sa bagazhe duhet të marrin vërtet.
Jeta juaj e futur në një valixhe së shpejti mund të jetë një gjë e së kaluarës. Në fund të fundit, duke paketuar më pak, ne krijojmë më pak emetime karboni, zvogëlojmë gjurmën tonë të udhëtimit dhe bëhemi më mbrojtës ndaj natyrës.
Disa shtete kanë nisur të sfidojnë idenë e krijuar prej kohësh për të bërë paketimin më të lehtë përpara se të niseni , duke ofruar zgjidhje inovatore për një pushim më të thjeshtë.
Japonia
Me një lëvizje të guximshme drejt një industrie më të qëndrueshme të aviacionit, “Japan Airlines” kohët e fundit nisi një program pilot që u jep udhëtarëve të huaj mundësinë që të marrin paraprakisht rroba me qira për qëndrimin e tyre në vend – duke eliminuar kështu nevojën për të ngarkuar dhe tërhequr valixhet.
Koncepti dhe biznesi, , “Any Wear, Anywhere” (çdo veshje kudo) është krijuar në mënyrë që pasagjerët që shkojnë në Japoni, të mund të kontrollojnë ose të mbajnë bagazhe minimale, që do të thotë se linja ajrore mund të matë më mirë ndikimin mjedisor të trajtimit të më pak bagazheve, si dhe peshën më të ulët të aeroplanit. Sapo udhëtarët mbërrijnë në Tokio, Osaka ose Fukuoka, rrobat e përshtatura në një sërë madhësish dhe stilesh dërgohen në hotelet ku po qëndrojnë vizitorët.
Turizmi në alpe
Në mbarë botën, skiatorët prsh, po përpiqen të ulin gjurmët e tyre të karbonit. Por ndërsa pushimet sportive dimërore kanë qenë prej kohësh domeni i kostove të tepërta të bagazheve, ekziston një element i ndryshimit të perceptimeve. Një ide e re po shfaqet në resortet në Francë, Zvicër dhe Austri; “lini pajisjet në shtëpi dhe merrni me qira në resort”.
Për të kundërshtuar bagazhet dhe gjithashtu për të zvogëluar nevojën e udhëtarëve për të investuar në pajisje sportive me vlerë të lartë, resortet dhe kompanitë e qirasë po theksojnë reduktimin dhe ripërdorimin, duke dhënë me qira kapele, doreza, syze, pantallona, xhaketa, skitë këpucët etj.
Dubrovniku
Ndërsa Venecia ishte destinacioni i parë mjaft i guximshëm për të konsideruar ndalimin e valixheve me rrota për të ruajtur më mirë rrugët e mbipopulluara të qytetit në vitin 2014, Dubrovniku e ka kthyer argumentin në veprim – tani u rekomandon vizitorëve të lënë bagazhet e tyre sidomos valizhet me rrota në shtëpi.
Jo për herë të parë vitet e fundit, mbiturizmi ka tërhequr zemërimin e banorëve vendas që jetojnë në qytetin e fortifikuar të Adriatikut dhe ka bërë që Zyra Turistike e Dubrovikut të marrë masa. Duke publikuar një video udhëzuese dhe këshilla të përditësuara për etikën e duhur të vizitorëve në fillim të këtij muaji, qyteti tani rekomandon vizitorët të mos shqetësojnë rrugët historike me kalldrëm “duke mbajtur – jo duke tërhequr” – bagazhe me rrota.
“Shpesh, udhëtarët me mbi 20 kilogramë bagazh, thjesht mbushin valixhen e tyre pasi besojnë se kanë paguar për të,” shpjegoi Pippa Ganderton, drejtoreshë e produkteve të ATPI Halo, një shërbim për matje, reduktim dhe kompensim të CO2 dhe ofrues i udhëtimit të qëndrueshëm. “Një zgjidhje e mundshme që linjat ajrore mund të marrin në konsideratë në të ardhmen, do të ishte shtimi i më shumë kategorive të peshës për bagazhet e dorës”.
Afrika Lindore
“Sanksione” për valixhet kanë nisur per turistët dhe në Afrikë. Por ndërkohë që nuk ka ndalim për lloje të caktuara të bagazheve, kufizimet nisin kur mbërrin atje. Që në pritje të guidave udhëtarët këshillohen të jenë sa më të lehtë.
Kjo betejë e bagazheve do të thotë se çantat kompakte me anë të buta janë favorizuar prej kohësh nga pjesa më e madhe e operatorëve turistikë në krahasim me bagazhet me rrota ose, me elementë hekuri, të cilat shumë shpejt nuk do e kalojnë sallën e pritjes dhe rrjedhimisht pistën.
“Ne gjithmonë i këshillojmë klientët për Safari që të bëjnë paketim të lehtë për një sërë arsyesh,” tha Kathy Boate, CEO e Cartology Travel, një agjenci udhëtimesh luksoze. “Në avionët e vegjël nuk ka kufizime të rrepta të peshës, por shumë rajone në Afrikë përdorin avionë të lehtë, ku nuk mund të marrësh valixhe me anë të forta – ato thjesht nuk do të futen në kapëset që përdorin aeroportet për matjen e tyre. Plus, nuk ju duhen shumë rroba për Safari. Shtëpitë e drurit që ju merrni me qira kur bëni Safari ofrojnë gjithashtu produkte tualeti dhe peshqirë, krem kundër diellit dhe kundër insekteve, duke ju ndihmuar që në radhë të parë të reduktoni nevojën tuaj për të paketuar në shtëpi.”, thotë Boate
(pershtatur nga BBC)