(Wadi Sabarah Lodge në Marsa Alam, Egypt pa tv- në dhoma).
Nëse do kishim pyetur në një prenotim rutinë se: çfarë ka dhoma e hotelit që do marrim për pushime, pyetjen; a ka televizor dhoma?, nuk do e kishim bërë. Edhe sikur hoteli të ishte modest me 1 yll, apo me 4 e 5 yje. As na ka shkuar ndonjëherë mendja se nuk mund të mos ketë. Por ja që televizori është seriozisht në rrezik. Hotele të shumtë në botë kanë marrë vendimin ta heqin atë nga dhomat. Dhe nuk ka lidhje fare me uljen e kostove kjo punë.
A po ndryshojnë gjërat?
Me rritjen e shërbimeve të transmetimit dhe një shumëllojshmëri në rritje të pajisjeve celulare nga të cilat përdoruesit mund të shikojnë çfarë të duan, kudo që të duan, televizori nuk është më shtylla kryesore e dhomës së ndenjes.
Hotelet dhe resortet largohen nga ekrani i madh
(Dhoma televizive e Wadi Sabarah Lodge, e krijuar për të shmangur televizorët në çdo dhomë)
“Ne e projektuam hotelin për t’u larguar nga bota me të cilën jemi mësuar dhe për t’u futur sa më shumë që të jetë e mundur në Shkretëtirën Lindore dhe Detin e Kuq,” shpjegon Samir Hammam, pronar i Wadi Sabarah Lodge në Marsa Alam, Egjipt. “Televizori juaj këtu është pamja e detit dhe peizazheve nga ballkonet tona dhe restoranti. Pse të fluturoni në Egjipt për të bërë atë që bëni në shtëpi?”
Ai nuk është i vetmi që mendon kështu dhe ka marrë këtë vendim. Në liqenin e Komos, çdo suitë në Villa Làrio ka një pamje të drejtpërdrejtë të liqenit. Me hapjen në vitin 2014, u vendos që të mos përfshiheshin televizorët. Sipas Flore Pilzer, Shefja e Markës për pronën, klientët që janë pronar të mëdhenj “më tepër do të shijonin pamjet marramendëse nga dhoma e tyre e gjumit“.
Paddington, në zemër të Londrës, themeluesi i The Pilgrm, Jason Catifeoglou, debatoi me partnerët e tij të biznesit nëse do të përfshinte apo jo televizorë në dhomat e hotelit. Për të, thelbi i pronës ishte qëndrueshmëria. Pasioni i tij është gjetja e pronave të pashfrytëzuara, më pas restaurimi dhe shndërrimi i tyre në hotele duke përdorur sa më shumë materiale të epokave të mëparshme. Hoteli nuk ka xham të dyfishtë ose kondicioner; e para për të shmangur prishjen e kornizave origjinale të dritareve të ndërtesës dhe e dyta për të mbajtur shpenzimet e energjisë në minimum. Jason zgjodhi të mos përfshijë televizorë në të gjitha dhomat, dhe kjo u pa si një rrezik shumë i madh kur e morri këtë vendim.
A ju mungojnë mysafirëve të hotelit televizorët?
(Suitat Il Palazzo të Villa Làrio zgjodhën të mos përfshijnë televizorë në dhomat e tyre kur u hapën në vitin 2021, duke zgjedhur që pamjet e pabesueshme të natyrës të argëtojnë klientët)
Vëzhgimet nga hotelierët mbi sjelljen e mysafirëve e përforcojnë edhe më tepër vendimin e së ardhmes. Flore Pilzer e Villa Làrio shpjegon, “Ne shohim që shumica e klientëve marrin libra dhe lënë telefonat dhe tabletët e tyre. Shumë nga klientët tanë as nuk e vënë re (mungesën e televizorëve).” Në dhjetë vjet hoteli ka pasur vetëm dy kërkesa për të sjellë televizorë në dhomat e tyre”. Në Wadi, Sabarah Lodge, Hamami, përsërit se nuk ka pasur ankesa për mungesën e televizorëve. Në të vërtetë, kur ai flet me të ftuarit për këtë, shumica i kërkojnë që t’i mbajë dhomat ashtu siç janë.
Disa hotele pa TV, aparatet e tyre i kanë në magazina. Vetëm në rast se të ftuarit e kërkojnë një të tillë, si p.sh. Bequia Beach Hotel në St Vincent & The Grenadines jua dërgojnë në dhomë. Mungesa e ekraneve të sheshta me sa duket madje përmirëson qëndrimin e klientëve të tyre, pasi Morstedt “falenderohet shpesh nga çiftet pasi përmirëson ndërveprimin social dhe ata e konsiderojnë atë si pjesë të pushimeve të tyre“.
Si do të ndikonte heqja e televizorëve në dizajnin e hotelit?
Nëse televizorët fillojnë të dalin nga përdorimi, ka të ngjarë të ketë një efekt të ri për dizajnin e dhomës dhe paraqitjet e brendshme. Artem Kropovinsky, projektuesi dhe themeluesi i Arsight, një kompani e dizajnit të brendshëm me bazë në Nju Jork, thotë se, “Për dekada, arredimi i apartamenteve dhe hoteleve është diktuar nga vendosja e televizorit, por ndërsa teknologjia bëhet më e individualizuar dhe e lëvizshme, ditët e të gjithë familjes ose grupit të miqve të grumbulluar rreth një ekrani televiziv po pakësohen“.
Ai e ka parë këtë ndryshim, nga kërkesat e klientëve të tij kur vijnë për të dizenjuar ambientet. “Ka një ndryshim të dukshëm në prioritete,” thotë ai. “Shumë tani po kërkojnë elemente qendrore alternative. Kjo mund të variojë nga një oxhak i bukur, në një vepër arti”.
Brad Smith, CEO dhe Drejtues Dizajner i Brendshëm në Omni Home Ideas, ka parë gjithashtu një ndryshim prioriteti, me shumë nga klientët e tij që shprehen “se nuk duan që dhomat e tyre të jetesës të dominohen më nga një televizor“. Në vend të kësaj ata favorizojnë planifikimet fleksibël, ku fokusi është në ndërveprimin social, estetikën apo edhe me një pamje të bukur jashtë. Për ata që duan ende një televizor, ai përfshihet në një mobilje dhe klientët preferojnë ta fshehin kur nuk e përdorin.
Cila është e ardhmja për televizorët e dhomave të hotelit?
(Dhoma e gjumit Master në Villa One në Hotel Bequia Beach me pamje të bukur nga det dhe pa TV.)
Dhomat e hoteleve pa TV nuk janë diçka që lindi nga shfaqja e resorteve të mirëqenies dhe telefonave inteligjentë. Në vitin 1950, kur Jamaica Inn, në Xhamajka, hapi dyert e tij, televizorët mungonin dukshëm – një zgjedhje e guximshme për një hotel sinonim të një prej ekskluziviteteve më të mëdha të filmit të të gjitha kohërave: James Bond. Pronari i pronës, Eric Morrow, thotë se mysafirët kanë të gjithë argëtimin që u nevojitet jashtë. “Përvojë e paharrueshme ju pret ndërsa hapni dritaren dhe shikoni përtej plazhit dritën shumëngjyrëshe të agimit të diellit në Detit të Karaibeve.” Megjithatë, për ata që kërkojnë një emocion kinematografik, hoteli vendos “Bond on the Beach”, një shfaqje një herë në javë të filmit 007 në një ekran të ndezur. Mysafirët mund të shikojnë dhe dëgjojnë me kufje dhe të hanë kokoshka.
Nëse televizorët e dhomave të hoteleve do të humbin avantazhe në industrinë e mikpritjes, kjo ende nuk mund të shihet. Shpesh TV të janë një burim pothuajse i përhershëm i reklamave për markën e hotelit dhe përdoren shpesh për të ofruar informacione turistike për mysafirët. Plus, destinacione dhe tregje të ndryshme kanë demografi të ndryshme të klientëve dhe prioritete të ndryshme shërbimi, shumë prej të cilave do të kërkojnë televizorë në dhomë. Megjithatë, me evolucionin e vazhdueshëm të pajisjeve elektronike, rëndësia dhe roli i televizorit të hotelit do të ndryshojë në dekadat e ardhshme.
L.C.Hej.al