(Emilie Joseph)
Kur fillova të punoja si gazetare mode, pagat e mia të para i lash për të blerë çanta, këpucë dhe rroba. Në mendjen time të re, çantat dhe veshjet me logo, kopsat me monogram ishin bileta për të fituar kredencialet legjitime të modës. Më vonë në vitin 2008 e lë punën dhe zhvendosem në Paris. Atje nis të ndjek studimet ( MBA për Mallrat Luksoze) dhe m’u desh të ç’mësoja gjithçka që mendoja se dija për luksin.
Profesori im, i cili kishte punuar për vite në Dior përpara se të hynte në trajnimin e modës, e hapi klasën e tij me këtë deklaratë. “Në Francë, luksi nuk ka të bëjë fare me gjërat e reja, të ndritshme, me shkëlqim. Logot dhe monogramet nuk janë luks. Është një triko kashmiri nga Loro Piana. Është një çantë vintage Hermes, mundësisht e dhuruar nga nëna ose gjyshja juaj. Janë bizhuteri trashëgimi që kanë qenë në familjen tuaj për breza të tërë”.
Pas atyre leksioneve hoqa qafe çantën time me logo dhe grafite të Marc Jacobs dhe fillova të gjuaja për dyqane të vjetra. Një çantë “Louis Vuitton” që mezi e kisha blerë nuk e pa kurrë dritën e diellit të paktën jo kur kisha orarin e klasës së profesorit tim të preferuar të modës.
Luksi nuk është një gjë e re
Luksi i heshtur, ose pa zhurmë, siç përmendet tani nga gazetarët, redaktorët dhe kritikët e modës, nuk është asgjë e re. Sido që të jetë, është një konstante stili që ka evoluar vazhdimisht.
Në klasën time për shembull, shumë nga studentët e huaj u shfaqën në shkollë të veshur me veshje krejt të reja, të sapo dala në vitrinat e dyqaneve të stilistëve përgjatë George V dhe Champs Elysee. Ata mbanin çantat “in” të sezonit nga Givenchy dhe Balenciaga – sa më të mëdha të ishin logot, aq më mirë.
Në atë oqean studentësh të modës të veshur me stilistë ishin një grusht studentësh veshjet e të cilëve me të vërtetë prisja t’i shihja çdo ditë. Vajzat franceze kishin veshur të gjitha Isabel Marant dhe Vanessa Bruno, duke i përzier me pjesë të zgjedhura pa logo nga Loro Piana, Brunello Cucinelli, Maison Martin Margiela, Ann Demeulemeester dhe Rick Owens. Ishte një look që e lidha menjëherë me ultra chic francez. Vetëm tani, ndërsa lexoj më shumë editoriale për luksin e heshtur, kuptoj se ky ishte një përsëritje e hershme e të ashtuquajturës tendencë luksi të qetë.
Ideja e shprehjes së stilit të pasurisë së fshehtë ka të bëjë më shumë me qëndrimin sesa me estetikën. Sigurisht, një gamë ngjyrash kryesisht neutrale dhe siluetat e thjeshta janë karakteristikë e pamohueshme për luksin pa zhurmë. Megjithatë, pikërisht në këtë moment qëndron një diskutim i vazhdueshëm mbi funksionalitetin, veshjen si investim dhe lidhjen e vërtetë me një markë.
Një gardërobë me sende të qeta luksoze do të thotë se merr në konsideratë nevojat reale të jetës, prirjet dhe lëvizjen e atij apo asaj që e përdor. Nuk është e pazakontë këto ditë të dëgjosh për entuziastët e modës që vishen enkas për postimet e tyre në rrjetet sociale. Ndërsa veshja e influencuesve që shfaqen me taka të larta, me fustane të shtrënguara fort mund të jetë argëtuese, por vështirë se është idealja në jetën reale. Jashtë furnizimit tonë të Tik-Tok dhe Instagram, e vërteta është që ne të gjithë duam të shkojmë në punë dhe të shijojmë kënaqësitë e fundjavave me rroba të punuara mirë, pa zhurmë, të lëmuara dhe të rafinuara.
Gjithashtu më thyhet zemra kur dëgjoj njerëz që thonë se nuk mund të veshin të njëjtën veshje dy herë. Është njësoj si të thuash që brenda asaj gardërobë masive, asnjë pjesë e vetme nuk është investim. Gjithçka është e momentit. Investimi në pjesët e modës nuk ka të bëjë vetëm me shpenzimin e shumave të bollshme të parave të fituara me vështirësi për një veshje. Kur investoni në vend që të shpenzoni, blini rroba dhe aksesorë të lartë që mund t’i vishni gjatë gjithë vitit, pavarësisht nga sezoni.
(Aktorja Gwyneth Paltrow duke hyrë në sallën e gjyqit në Mars 2023)
Marka të tjera të njohura që kanë qëndruar në rrugë të qetë luksoze janë The Row, Khaite, Brunello Cucinelli, Jil Sander dhe Loro Piana. Modelet e tyre dhe narrativat e markave rezonojnë me një klub të pakapshëm adhuruesish luksi, të cilët, thënë thjesht, janë “në dijeni”. Ata janë konsumatorë shumë besnikë që mund të dallojnë çdo qepje, palosje, model dhe nuancë – dhe nuk kanë asnjë shqetësim për të investuar 2,450 dollarë në një fustan të zi të përjetshëm pa logo ose monogram. Këta dishepuj të matur me elegancë mund të nuhasin luksin e vërtetë nga një milje larg.
Kohët e fundit, dhe pothuajse një dekadë pas takimit tim me profesorin që më ndryshoi konceptin mbi luksin u përballa edhe një herë me konceptin e luksit të qetë. Në mediat sociale, Sophia Roe dhe Mandy Madden Kelley Gwyneth Paltrow, Katie Holmes janë disa personazhe tipike për këtë që po flas. Na tregojnë se si “gjërat e bukura nuk kërkojnë vëmendje”. Mos harroni luksi është përtej trendit dhe kohës.
B.S.