Shkencëtarët besojnë se kanë gjetur një lidhje midis baktereve inflamatore në zorrët tona dhe shpejtësisë së plakjes Gjetjet e reja tregojnë se nivelet më të larta të baktereve inflamatore janë të lidhura me plakjen e përshpejtuar dhe performancën më të dobët të fitnesit, pra të mungesës së aktivitetit fizik.
Zorrët e njeriut janë një ekosistem kompleks, shtëpia e triliona mikroorganizmave dhe luajnë rol jetësor në ruajtjen e shëndetit tonë.
Gjetjet e fundit u publikuan në revistën e Zhvillimit Cognitive Neuroscience dhe kanë zbuluar se diversiteti i mikrobeve në zorrë, jo vetëm që mund të ndikojë në aftësinë tonë fizike, por gjithashtu mund të ndikojë në shpejtësinë e plakjes. Zbulimet u kryen nga një ekip në Universitetin Hungarez të Shkencave Sportive dhe “hapin mundësi të reja për shfrytëzimin e fuqisë së probiotikëve për të promovuar shëndetin dhe jetëgjatësinë”, tha profesor Zsolt Radak, autori kryesor i studimit.
Me ekipin e tij në Budapest, Radak ekzaminoi lidhjen midis diversitetit të mikrobeve të zorrëve dhe moshës biologjike të njeriut. Secili “pacient” iu nënshtrua një sërë vlerësimesh të fitnesit dhe ofroi një mostër jashtëqitjeje për të analizuar bakteret në zorrë, si dhe mostra gjaku për të përcaktuar moshën e tyre biologjike duke përdorur shënues epigjenetikë. (Shënuesit epigjenetikë janë si çelësa në ADN-në tonë që mund të kontrollojnë nëse disa gjene janë të ndezur ose fikur dhe luajnë një rol vendimtar në përcaktimin se si zhvillohen, funksionojnë dhe reagojnë qelizat tona ndaj mjedisit tonë).
Rezultate të papritura
“Ne zbuluam se bakteret inflamatore në fakt po përshpejtojnë procesin e plakjes, kështu që nëse keni më shumë baktere inflamatore, atëherë ju keni plakje të avancuar,” tha Radak, duke shtuar se plakja e përshpejtuar “do të thotë se jeni më i vjetër se mosha juaj kronologjike”.
Po kështu, pas analizimit të baktereve specifike të pranishme në zorrë, studiuesit zbuluan se nivelet më të larta të baktereve anti-inflamatore ishin të lidhura me përmirësimin e treguesve të fitnesit dhe një ritëm më të ngadaltë të plakjes. Anasjelltas, prania e baktereve inflamatore u shoqërua me performancë më të dobët tek individët që merreshin me aktivitet fizik.
Me fjalë të tjera, bakteret inflamatore, kur janë të bollshme, lidhen me plakjen e përshpejtuar.
Hej.al