Duke mësuar se çfarë frutash dhe perimesh nuk duhet të vendosni pranë njëra- tjetrës, ju do ti ruani ato të freskëta deri ditën që do ti konsumoni.
Kur jemi në dyqanin ushqimor, hedhim një shumëllojshmëri frutash dhe perimesh në karrocë por shpesh, kur kthehemi në shtëpi e vendosim gjithçka në frigorifer pa i kushtuar shumë vëmendje organizimit të tij ose teknikave të ruajtjes së frutave dhe perimeve. Jo gjithmonë ia dalim t’i hamë vaktet në shtëpi apo t’i gatuajmë brenda pak ditëve. Rezultati: produkti i freskët që blemë ose është kalbur ose thjesht ka shije të keqe. Kjo mund të shmanget duke i lënë disa fruta dhe perime të ndara, disa në frigorifer e disa jo. Në këtë mënyrë do të maksimizojmë jetëgjatësinë e frutave dhe perimeve dhe do të kursejmë para.
Mollët dhe karotat
“Frutat dhe perimet kanë tendencë të lëshojnë erëra që përthithen nga produkte ose ushqime të tjera,” shpjegon Taylor C. Wallace, PhD, shkencëtari kryesor i ushqimit në Fondacionin “Produce for Better Health”.
“Shembulli klasik është aroma e mollës,” thotë Wallace. “Dhe karotat priren të jenë veçanërisht të mira në thithjen e aromave të produkteve të tjera.”
Për këtë arsye, ai sugjeron që mollët dhe karotat t’i mbani larg njëra-tjetrës, duke shtuar se lakrat, fiqtë dhe qepa gjithashtu thithin aromën e mollës, për këtë arsye mos i vendosni asnjëherë pranë por vendosini të ndara në frigorifer.
Avokado dhe trangujt
Kur bëhet fjalë për frutat dhe perimet që nuk duhen ruajtur së bashku, avokado dhe trangujt janë në krye të listës. Avokado duke qenë një frut që vazhdon të piqet edhe pasi është këputur nga pema prodhon sasitë larta të gazit etilen. Trangujt prodhojnë shumë më pak ose aspak gaz etilen dhe nuk vazhdojnë të piqen pasi janë mbledhur.
Nëse ruani produktet që prodhojnë etilen me produkte të ndjeshme ndaj etilenit, këto të fundit do të piqen shumë, duke u bërë të buta dhe do të prishen më shpejt.Në vend të kësaj, ruani avokadon me vete ose pranë frutave të tjera si mollët, domatet, pjepërat, dardhat dhe pjeshkët. Ruani trangujt me zarzavate me gjethe dhe perime me rrënjë.
Këshillë:
Mos blini tranguj me shumicë. Në vend të kësaj, blini aq sa do të hani realisht për javën. “Kastravecët zakonisht përmbajnë një shtresë mbrojtëse dylli,” thotë Wallace. “Ruajtja e tyre shumë gjatë në frigorifer mund t’u japë një strukturë të keqe.”
Patate dhe qepë
Patatet dhe qepët ruhen të dyja në mënyrë ideale në mjedise të freskëta dhe të errëta, por është më mirë t’i mbani larg, sepse qepët janë prodhues të etilenit. “Gazi etilen do të bëjë që patatet të mbijnë,” thotë dietologia e regjistruar Amy Myrdal Miller, një specialiste e kuzhinës dhe shërbimeve ushqimore.
Patatet gjithashtu thithin aromat nga ushqimet rreth tyre, duke përfshirë qepët. “Ndërsa qepët bashkohen mirë me patatet nga pikëpamja e shijes, ruajtja e tyre së bashku bën që patatet të marrin aromën e qepëve, cka mund të mos jetë e dëshirueshme, në varësi të asaj që do të gatuani me patatet,” shton Miller, duke vënë në dukje se e njëjta gjë vlen edhe për hudhrën.
Për të zgjatur jetën e patateve, ruajini ato në një shportë ose enë të hapur dhe mos i lani deri para se t’i përdorni. Ruajini qepët në një vend të freskët, të errët dhe të ajrosur mirë.
Këshilla:
• Vendosini qepët në frigorifer për të paktën 30 minuta përpara se t’i prisni në feta dhe ato nuk do t’ju bëjnë sytë të lotojnë aq shumë.
• Nëse keni nevojë të ruani një pjesë të qepës të përdorur, por jeni të shqetësuar për aromën, vendoseni në një enë ruajtëse specifike për qepën.
• Vendosni pak sodë buke në frigorifer për të thithur aromën e mprehtë të qepës.
Domate dhe banane
Domatet dhe bananet kanë shumë të përbashkëta: të dyja janë fruta që prodhojnë etilen, ndihmojnë të luftoni qelizat kancerogjene dhe ruhen më së miri në banak në temperaturën e dhomës.
Frutat dhe perimet që piqen pasi janë mbledhur, të tilla si domatet, bananet, kivi dhe pjepri, ruhen më së miri veç e veç. Nëse i mbajmë shumë afër njëra-tjetrës, sasitë e mëdha të etilenit që prodhojnë mund të çojnë në pjekje të përshpejtuar dhe do të jemi të detyruar që ti hedhim në koshin e mbeturunave pa i shijuar.
Këshillë:
Dëshironi të përshpejtoni pjekjen e këtyre ushqimeve? Vazhdoni dhe ruajeni pranë një prodhuesi tjetër të gazit etilen.
Specat zile dhe barishtet e freskëta
Specat zile aq të shijshme janë të thjeshta për tu mirëmbajturm thjesht i vendosni në frigorifer por jo pranë barishteve të freskëta, pasi do të zhgënjeheni kur të vijë koha për t’i përdorur ato.
Këshillë:
“Bimët, veçanërisht ato jeshile janë mjaft të brishta,” shpjegon Wallace. “Përpara se ti vendosni në figorifer këputni pjesën e poshtme të kërcellit të tyre, hiqni çdo gjethe të tharë ose kafe, vendosini në një kavanoz me pak ujë.”
hej.al