Edhe pse marrim pushime për të “shpëtuar” prej punës së përditshme, aq shumë është skalitur thellë brenda nesh ajo që bëjmë sa edhe gjatë pushimeve shohim detaje që lidhen me profesionin. Më ndodh shpesh në restorante ta gjej veten duke dëgjuar apo parë si dhe sa konsumojnë ushqim e pije ata që janë përreth.
Krahasuar dhe me vitet e shkuara, kam vëne re se ndërgjegja në popullatë për të konsumuar ushqim në sasi ka ndryshuar. Pra, nuk është e rrallë të dëgjosh persona të porositin gjysmë racioni të një ushqimi kalorik apo të interesohen nëse ka supë, perime të ziera e skare. Kjo më bën të mendoj se individi ka patur një episod në jetën e tij ku i është dashur të mbajë dietë ose ka patur një problem shëndetësor që e ka bërë të ndërgjegjësohet. Konstatoj se kultura në përgjithësi është rritur dhe njerëzit janë ndërgjegjësuar.
Nuk përjashtohet fakti që ka vende apo individë të cilët vijojnë të jenë tradicionalë në mënyrën e të ushqyerit me pjatat plot me mish, të tejngopura në kripë edhe yndyrna.
U ndjeva mirë kur në një tavolinë prane meje dëgjova: “Të lutem se jam me dietë dhe nuk dua ta prish gjatë pushimeve. Po e ndjej trupin në një formë shumë të mire!” Njeriu vetëstimulohet nga arritjet që bën në rënien në peshë por edhe duke respektuar veten. Duhet ta respektojmë veten me mënyren sesi ushqehemi, ashtu sic e respektojmë me fjalët që themi, me veshjen që bëjmë, apo me gjithcka tjetër që tregon sesa të kuruar jemi.
Pushimet janë për tu shkarkuar nga cdo lloj stresi dhe njeriu duhet të ndihet i cliruar. Nëse e stresojmë veten se cfarë dhe sa do të hamë atëhere jemi futur në një lloj cikli i cili nuk mbyllet lehtë.
Është mirë ti shijojmë pushimet në verë apo dimër qofshin pa abuzuar kryesisht me sasinë e ushqimit, pa i ndarë në karbohidrate, proteina apo yndyrna, sepse të tre makronutrientët janë ata që na shtojnë në peshë në rast se ne humbasim ekuilibrin ndërmjet tyre. Por këtë ekuilibër ta vendosim pa stres. Ju ftoj të shijoni familjen, miqtë, kohën e cmuar me ta dhe natyrën e bukur kudo që të jeni duke pushuar qoftë në mal apo në det.
Unë vetë pëlej pushimet në mal dhe këtë vit i kam ndarë pushimet mes detit dhe gjelbërimit. Nga një vëzhgim rastësor kam kuptuar se pushuesit e malit janë ata që hanë më shumë sesa pushuesit e detit, të cilët priren më tepër drejt pijeve.
Pushuesit në veri janë të orientuar më shumë drejt mishit, petullave, byrekut, etj. Ndërsa ata që zgjedhin bregdetin ushqehen me pjata më pak kalorike. Në të dy rastet ka përjashtime.
Shijoni pushimet e më shkruani në hej.al për gjithcka dëshironi të përmirësoni në regjimin tuaj!