Pushimet buzë detit kanë përfunduar por kujtimet e bukura të kësaj vere do ta shoqërojnë gjatë familjen Balluku. Opinionistja e “Përputhen” Neda, të cilën publiku shqiptar e kujton gjithmonë si vajzën dinjitoze pjesëmarrëse në ‘Big Brother’ zbulon për median “Hej.al” të vecantën dhe sfidën e pushimeve të para edhe me vogëlushen tre muajshe. Mami i Serzh, Zai dhe Suzie Ann na zbulon pushimet mes Jonit dhe Adriatikut.
“Ndonëse goca është shumë e vogël, vendosëm gjithsesi të nisemi për pushime. Këshillë: nëse keni më shumë se dy fëmijë, mos u nisni me pushime pa ndonjë gjyshe me vete për ndihmë. Ne prej disa vitesh ndalemi në Livadh, mendojmë se është bregu më i përshtatshëm për fëmijët por edhe një zonë e cila ka një farë jete. Muzikë, ushqim i mirë dhe alternativat për të gjitha mundësitë ekonomike.”
Suzie Ann, si më e vogla kërkonte më tepër përkujdesje dhe natyrshëm mori vëmendjen e të gjithë familjes.
“Edhe çunat u angazhuan për të. Për t’i mbushur pishinen e vogël me ujë deti, për të ndenjur me të në çadër kur ajo flinte që mami dhe babi të bënin ca not në det. Ishte emocionuese të shihje që ata të cilët deri dje ishin të vegjlit e tu, sot janë bërë të mëdhenjtë që kujdesen për një motër të vogël.”
Neda si nënë ka konstatuar se menuja për fëmijë është shumë e kufizuar dhe ka një thirrje për restorantet e bregdetit për ta përmirësuar sa më parë.
“Sfidë shumë e madhe është që restorantet e bregdetit, përtej kuzhinës së mirë për ne të rriturit, çalojnë në alternativa për menunë e fëmijëve. Menu e kufizuar në tre pjata. Aq më tepër për fëmijët ende më të vegjël që mbase sapo kanë nisur ushqimin me lugë. Shumë shpesh familjet shqiptare, kur munden, zgjedhin konceptet All Inclusive jashtë vendit pikërisht për këtë. Edhe ne disa herë e kemi bërë këtë zgjedhje. Mirëpo këtë vit, Turqia bie fjala, kishte çmime jashtë logjike. Do ishte shumë e rëndësishme që ky lloj turizmi të ofrohej edhe në bregdetin tonë.”
Hej.al