E besoj fort teorinë se, për të arritur diçka në jetë nuk ka kufizime. Kur them e besoj, nuk e kam fjalën thjesht sepse e dua unë, por sepse në jetë kam njohur njerëz që kanë kapërcyer kufij të paimagjinueshëm për të arritur gjëra madhore. I tillë është edhe personazhi që do t’ju sjell në këtë shkrim.
Ai quhet Ervin Gjoni dhe brenda jetës së tij ka shumë histori suksesi. Një ndër arritjet e tij më të mëdha është karriera e tij si gazetar në Britaninë e Madhe. Nuk e cilësoj si arritje, thjesht sepse Ervini arriti të bëjë gazetarin në Angli, si një emigrant i ikur nga një vend i Europës Lindore, por sepse për të bërë këtë, ai theu një kufi akoma më të madh sesa ai i kapërcimit të vendlinjdes: vështirësinë në të nxënë, që në gjuhën e ekspertëve të motorrikës së zhvillimit, quhet disleksi.
“Kam 23 vite që kam lëvizur në Britani,- nis të rrëfejë Ervini.- Isha në moshën e adoleshencës dhe si i ri që isha, u ambjentova shumë shpejt. Krijova shpejt kontakte me njerëz të rinj, ku nisa të praktikoj edhe gjuhën. Anglishtja që kishim mësuar në shkollë më ndihmoi shumë në Angli për t’u përshtatur më shpejt.
Duke qenë në një moshë të re, institucionet përkatëse në Angli më regjistruan në shkollë, për të mësuar gjuhën dhe disa lëndë të tjera si, matematikë dhe lëndë shoqërore. Në javet e para, mësueset vunë re që unë kisha probleme me shkrimin, një forme ”disleksie”. Harroja shkronjën e fundit në shumë fjalë, e në disa raste zhvendosja gërmat. Sipas tyre, kjo formë disleksie, ishte si rrjedhoje e mos koordinimit të dorës kur shkruan dhe trurit që mendon se çfarë të shkruajë.
Me sugjeruan te ndiqja në kolegj degen e medias, sepse aty të mësojnë edhe të shkruash saktë, ndërkohë që unë doja degën e inxhinierisë, pasi më parë kisha qenë nxënës i elektrikes së mesme. Mbaj mend ushtrimet e para që më dhanë, ku duhet të shkruaja të njëjtën fjalë në dy rreshtat e fletores shumë shpejt, dhe po të njëtën fjalë në një faqe tjeter duhet ta shkruaja ngadalë. Pasi mbarova, pashë sa gabime kisha bërë, kur kisha shkruar shpejt, dhe sa gabime kur kisha shkruar ngadalë. Qesha me veten kur pashë gabimet. Në moshë madhore është vështirë që të trajtohet disleksia, por më ka ndihmuar shumë mënyra sesi mësuesit silleshin me mua.
Në shkollën 8-vjeçare në Shqipëri, e kam vuajtur shumë faktin që bëja shumë gabime në shkrim. Në lëndën e gjuhës shqipe bënim shumë hartime dhe më jepej nota maksimale për krijimtarinë, por nuk merrja asnjëherë 10-të, pasi gabimet në shkrim me penalizonin. Nuk jam ndihmuar për këtë problem, pasi në atë kohë nuk ishin kushtet në vend për diçka të tillë. Shpresoj që tani nxënësit të mos penalizohen, por të ndihmohen.
Sot, në moshën digjitale, disleksia nuk më pengon shumë, sepse në zyrë shkruaj me tastiere, e në PC korrigjohen lehtë gabimet, po ashtu edhe në telefon me ‘auto correction’ gjithçka është e kollajtë. Por, nëse do shkruaja me dorë një letër, do e bëja shumë ngadalë dhe me kujdes.”– tregon Ervini, i cili aktualisht punon si gazetar freelance në Britani, por edhe si inxhinier. Këtë të dytin, e konsideron profesionin e tij të parë. Është pikrisht ky profesion, i cili për momentin e ka zhvendosur në Azi, ku është bërë pjesë e një projekti inxhinierik, për të ndërtuar aty një kompleks: hotel, apartamente dhe hapsira tregëtare.
Ervini është shumë i apasionuar pas muzikës Rock dhe Heavy Metal. Ka ndjekur shumë koncerte dhe ka takuar shumë yje të këtyre zhanreve të muzikës, edhe si gazetar. Ndërkohë ka ushtruar edhe fotografinë si një pasion tjetër, që po ashtu ka shkuar përkrah gazetarisë. Ai është rritur në emigracion dhe Anglinë e ndjen pothuajse si atdhe, barabar me vendin ku ka lindur. Ervini tregon se anglezët kanë një mentalitet të hapur për emigracionin.
Ndryshe nga ne ballkanasit që emigrojmë për arsye ekonomike, ata e bëjnë këtë gjë për eksperienca jete. Shumë miq të Ervinit, për shembull, shkonin të jetonin për një vit në Azi, Lindje të Mesme, etj. Për të, të lije Anglinë, për një vend të botës së tretë, ishte e çuditshme, por pas një kohe të gjatë, këtë gjë vendosi ta bëjë edhe ai. Sot ai ndodhet në Azi si ‘’expat’’, një fjalë trendi, që përdoret për një person që vjen nga një vend i botës së parë në botën e tretë.
“Azia është diçka komplet ndryshe nga Europa. Unë ndodhem në Sri Lanka. Këtu temperatura është e njëjtë, si ditën dhe natën, nuk ndryshon fare. Është hera e parë që përjetoj shirat tropikalë. Natyra është mahnitëse. Shoh kafshë që i kam parë vetëm në TV si, elefantët, breshkat e mëdha të ujit. Njerëzit janë shumë miqësorë, i shikon gjithmoë duke qeshur, jo vetëm me ne të huajt, por edhe me njëri-tjetrin. Ushqimi aziatik është djegës dhe s’po ambjentohem dot, por disa gjëra kanë filluar të më shijojnë. Më mungon shumë Anglia, mund të them se më mungon edhe më shumë se Shqipëria.”– përfundon këtë intervistë të tij Ervini, i cili pas më nisi një pjesë të këtij teksti të shkruar, sipas pyetjeve që i kisha nisur më parë, më shkroi në fund: Korrigjoje se unë jam dislektik. E bëri këtë edhe duke ditur që fokusi i intervistës ishte fakti, sesi ai kishte punuar për ta ‘mundur’ disleksinë.
Elona Jacellari. Hej.al