Quhet “Barbie Botox”, dhe injektohet për të zvogëluar në mënyrë estetike madhësinë e shpatullave duke zgjatur qafën. Kjo procedurë fillimisht është realizuar vite më parë për të ndihmuar lirimin e muskujve të trapezit të mbingarkuar, të cilët shkaktojnë migrenë dhe tension intensiv të qafës. Sot arsyeja ka ndryshuar, vajzat dhe gratë duan të duken si kukulla Barbie, cka e ka bërë këtë ndërhyrje estetike shumë të diskutueshme nëse është etike.
“Kur Botox- i injektohet në një muskul, ai ndalon lidhjen me nervin”, tha Dr. Parisha Acharya, mjeke kryesore kozmetike në klinikën e njohur të estetikës mjekësore në Londër Ëaterhouse Young. “Me kalimin e kohës çon në një dobësim dhe paralizë të muskujve. Në mënyrë indirekte, muskuli tkurret. Kjo ndërhyrje zgjat qafën, hollon shpatullat dhe krijon një fizik shumë delikat kur bëhet siç duhet.”
Megjithatë, nëse nuk realizohet mirë, administrohet gabim ose nuk injektohet në dozën e duhur, botoksi mund të paralizojë plotësisht muskujt, tha Dr. Acharya. Gjithashtu ekziston rreziku që neurotoksinat mund të migrojnë herë pas here nga vendi i injektimit, duke dobësuar lidhjen nervore të muskujve të tjerë përreth. “Dhe veçanërisht duke qenë rreth qafës, kjo mund të ndikojë në aftësinë për të mbajtur kokën lart siç duhet.”
Isabelle Lux, influencer 32-vjeçare nga Palm Beach, Florida, tha se ishte e tmerruar ndërsa ishte ulur në karrige duke pritur për ‘Barbie Botox’-in e saj – 40 njësi të neurotoksinës të injektuara në secilin trapez, muskuli që mbajnë lart qafën. Ajo po kërkonte të hollonte shpatullat në përgatitje për dasmën e saj, si dhe të çlironte disa dhimbje në pjesën e sipërme të shpinës. “Po mendoja gjatë gjithë kohës, ‘Nëse shkon siç duhet, kjo do të jetë e mrekullueshme dhe mezi pres ta ndaj (online). Nëse kjo shkon keq, më mirë paralajmëroj njerëzit. Pra, në thelb kuptova se çfarëdo të ndodhë, do t’u tregoj njerëzve.’ Dhe Zot, thjesht u luta që të shkonte mirë.”
Lux-it, të cilit iu dhurua trajtimi prej 1200 dollarësh, iu tha që të shmangte mbajtjen e çantave të rënda të shpinës, stërvitjet e forta dhe masazhet për të paktën 72 orë. “Unë në fakt isha shumë e frikësuar, Pasi të injektohet botoxi , nuk mund të bësh më asgjë për ta kthyer atë. Në javën e parë ndjeva kaq shumë dhimbje aktuale, tension dhe ngurtësi në qafën, shpatullat dhe pjesën e sipërme të shpinës. Isha me të vërtetë, shumë e shqetësuar.” Dy muaj më vonë, Lux tha se ndihet “më mirë se kurrë” dhe tashmë po planifikon një seancë shtesë në dimër.
Megjithatë ajo këmbëngul se ky nuk është një trajtim që duhet marrë lehtë. “Unë mendoj se duhet të shkoni te një kirurg ose një mjek. Nëse nuk jeni në gjendje ta bëni atë në vendin e duhur, do të thoja se sinqerisht nuk ia vlen. Mendoj se një procedurë mjekësore duhet të trajtohet si një procedurë mjekësore. Dhe industria e estetikës është e parregulluar. Në mënyrë tronditëse çdokush mund të aplikojë injeksione të toksinës botulinum. Ky mund të jetë një estetist ose parukier pa përvojë klinike, pa njohuri mbi anatominë. Kjo gjë me të vërtetë më shqetëson.”
Hashtag-u “Barbie Botox” aktualisht ka mbi 7 milionë shikime në TikTok, ku klinikat dokumentojnë injektimin e klientëve të tyre, duke shtuar titrat rozë pastel dhe emoji me shkëlqim.
Tregu global i injektimeve për fytyrën parashikohet të dyfishohet në dekadën e ardhshme, duke arritur në 36.8 miliardë dollarë deri në vitin 2032. Sipas një studimi të vitit 2021 nga Shoqëria Ndërkombëtare e Kirurgjisë Estetike Plastike, ka pasur një rritje prej 54.4% në procedurat minimale invazive si Botox dhe mbushëje që nga viti 2017.