Këngëtarja, aktorja dhe producentja Selena Gomez është një avokate për ndërgjegjësimin e shëndetit mendor. Ajo shpjegon pse kjo çështje është e rëndësishme për të dhe pse vendosi të lançojë një linjë bukurie. Të gjitha mendimet e shprehura në këtë artikull i përkasin Gomez.
“Ne jemi të bombarduar vazhdimisht me imazhe dhe postime në rrjetet sociale që i bëjnë njerëzit të ndihen sikur kanë nevojë për të arritur përsosmërinë, e cila është e paarritshme. Unë kam qenë e hapur në betejat e mia personale të shëndetit mendor dhe kam treguar se si jam ndjerë e pamjaftueshme me veten time.
Të rritesh në sytë e publikut është një presion i madh. Ka qenë mjaft e vështirë gjatë atyre viteve të para, imagjinojeni veten me botën që ju gjykon dhe komenton çdo aspekt të jetës dhe zgjedhjeve që bën. Ndonjëherë mendoj se më bëri më të fortë dhe nuk pendohem që u rrita ashtu siç u rrita. Nuk është e mjaftueshme të them se ndihem tepër me fat që kam një platformë ku e di se mund të bëj një ndryshim. Por kjo nuk do të thotë se nuk kam pasur periudha të vështira. Vendosa të jem e hapur për atë që po përjetoja dhe për shkak të kësaj kam dëgjuar nga kaq shumë njerëz që luftojnë me shëndetin e tyre mendor. Prandaj shëndeti mendor është një çështje që e kam shumë afër zemrës. Përpiqem të përdor zërin tim për të ndihmuar në zvogëlimin e stigmës që lidhet me të folurën për shëndetin mendor dhe për të inkurajuar njerëzit të festojnë veçantinë e tyre.
Nuk jeni vetëm
Ka kaq shumë pritshmëri jorealiste për gratë në shoqërinë tonë dhe një presion për të vepruar në një mënyrë të caktuar. Mediat sociale kanë ndikuar padyshim në idenë tonë të “perfektes” dhe ne shpesh i drejtohemi këtyre platformave për vërtetim dhe rehati. Por në fund, kjo na bën të gjithëve të ndihemi edhe më të vetmuar.
Për këdo që po lufton me probleme të shëndetit mendor ose thjesht po kalon një kohë të vështirë, dua t’ju them se nuk jeni vetëm.
Unë jam shumë pro për detoksifikimin nga mediat sociale. Shpesh e gjej veten të lidhur me to dhe më pëlqen të shoh se çfarë po ndodh, por është e rëndësishme për mua të marr kohë dhe të shkëputem për një periudhë.
I kujtoj vetes se të gjithë postojnë zakonisht vetëm fotot e tyre më të mira dhe nuk ka arsye të ndihem keq që nuk dukem në të njëjtën mënyrë.
Unë jam gjithashtu mbështese për terapinë e cila më ndihmoi t’u përgjigjesha shumë pyetjeve se pse ndihesha në një mënyrë të caktuar, gjithashtu më ndihmoi të kapërceja disa pengesa. Në fillim, nuk ishte e lehtë për mua të tregohesha e hapur e të tregoja se po luftoja me depresionin dhe ankthin. Ndjeja se kishte një presion për të qenë perfekte, pasi ishin shumë njerëz që i kishin sytë tek unë. Por pasi mora vendimin për të kërkuar ndihmë dhe për të qenë e hapur për atë që ndjeja, ishte një lehtësim i madh. Mendoj se të pranuarit që jam një qenie njerëzore, jo e përsosur – askush nuk është – ishte hapi më i dobishëm që kam bërë për shëndetin tim mendor.
Bukuria për të ardhmen
Kam pasur fatin të punoj me disa nga grimierët më të mirë në botë. Më pëlqen arti i grimit dhe eksperimentimi me pamje të ndryshme. Më pëlqen të shoh sesi grimi mund të ndryshojnë totalisht një karakter. Vendosa të krijoj markën time të bukurisë dhe të flas për dicka që nuk flitej mjaftueshëm në këtë industri. Më parë mendoja se duhej të grimohesha që të ndihesha bukur, por tani e kuptoj se nuk kam nevojë për grim për t’u ndjerë mirë. Tani e shoh grimin si një aksesor dhe kjo është ajo që dua të mishërojë Rare Beauty – vendosni sa më shumë grim ose sa më pak të dëshironi – kjo është një hapësirë mikpritëse ku të gjithë duhet të ndihen rehat.
Ishte gjithashtu e rëndësishme për mua që të kisha një qëllim pas kompanisë dhe e dija se shëndeti mendor do të ishte një pjesë e madhe e mesazhit. Me Fondin e “Ndikimit të Rrallë”, ne duam të reduktojmë stigmën që lidhet me shëndetin mendor, të adresojmë epideminë e vetmisë kronike dhe të ndihmojmë e t’u japim njerëzve akses në burimet dhe shërbimet që u nevojiten për të mbështetur mirëqenien e tyre mendore. Për këtë qëllim lançuam fondin në ditëlindjen time të 28-të dhe shpallëm synimin tonë për të mbledhur 100 milionë dollarë gjatë dhjetë viteve të ardhshme për të ndihmuar që t’u japim njerëzve në komunitetet e pashërbyera akses në shërbimet e shëndetit mendor.
Jemi të përkushtuar të mbledhim fonde dhe një për qind e shitjeve vjetore të “Rare Beauty” shkojnë drejtpërdrejt në “Fondin e Ndikimit të Rrallë”. Me Fondin, ne krijuam gjithashtu Këshillin e Shëndetit Mendor me Ndikim të Rrallë, i cili përbëhet nga këshilltarë ekspertë nga universitete, organizata dhe kompani kryesore për të na ndihmuar të sigurohemi se po bëjmë ndikimin e madh që synojmë.
Unë dua që të gjithë të gjejnë fuqinë në atë që i bën të rrallë. Ne të gjithë duhet të përqafojmë veçantinë tonë, të ndalojmë së krahasuari veten me të tjerët dhe ta duam veten më shumë, veçanërisht tani.”
hej.al