Të pendoheni që nuk keni bërë një zgjedhje ose që nuk keni përfituar nga një mundësi është shumë e zakonshme. “Pse nuk zgjodha ndryshe?”, e mundojmë veten se nuk kemi bërë apo thënë diçka. Një studim i botuar në Journal of Personality and Social Psychology konfirmon se në fakt, shanset e humbura janë ato për të cilat pendohemi më shpesh. Ndërsa gjërat që kemi bërë, edhe nëse kanë qenë të gabuara, na bëjnë të vuajmë për një kohë të shkurtër dhe me kalimin e kohës harrohen.
Çfarë mund të bëni për të marrë vendime më të mira?
Keqardhja ose brenga është emocioni më i përjetuar nga të gjithë (të paktën midis atyre që kërkojnë një shkallë të caktuar reflektimi). Ky përjetim nuk është i keq vetëm për paqen tonë mendore, por edhe nga pikëpamja fizike: një ndjenjë e vazhdueshme e keqardhjes mund të çojë në ankth, depresion, vetëbesim të ulët, si dhe simptoma fizike si tensioni i muskujve, crregullime me gjumin e ushqimin, dhimbje koke, stres kronik.
Megjithatë, nga një pikëpamje, kjo lloj dhimbjeje ka një kuptim: sepse duke na bërë të ndihemi më keq sot, brenga na ndihmon të përshtatemi dhe të bëjmë më mirë nesër. Dhe kështu, nëse dimë ta shikojmë të kaluarën në mënyrën e duhur, duke kuptuar se çfarë fshihet pas atij pikëllimi therës, ne i përsosim vlerësimet tona, njohim përgjegjësitë dhe fokusohemi në gjërat që kanë më shumë vlerë. Kini parasysh kur njerëzit ju thonë se për çfarë pendohen, në të njëjtën kohë ju zbulojnë se çfarë vlerësojnë dhe cilat vlera i konsiderojnë thelbësore për të jetuar mirë. Kjo është arsyeja pse brerja e ndërgjegjes na jep gjithmonë një mësim.
Si mësojmë nga gabimet tona?
Ndërsa njerëzit plaken, ata vuajnë shumë më tepër nëse nuk kanë bërë diçka sesa nëse e kanë bërë.
Nga i njëjti studim del se njerëzit më të arsimuar kanë më shumë keqardhje për karrierën sesa ata me më pak arsim. Duket si një kontradiktë sepse përgjithësisht ata me një kualifikim të avancuar kanë më shumë mundësi se të tjerët. Por në realitet, pikërisht sepse kemi më shumë shanse, në një shoqëri hiperkonkurruese si kjo e jona pendohemi më shumë për mundësitë e humbura profesionale.
Për më tepër, një pjesë e madhe e përgjigjeve të marra në sondazh shprehin keqardhjen se kanë mbetur në një marrëdhënie të pakënaqur (kjo vlen më shumë për gratë sesa për burrat) ose për mosndjekjen e prirjeve të tyre.
“Nga ana tjetër, pendimet për blerjen e gjërave të padobishme janë shumë të rralla, megjithëse shumë pendohen që nuk kanë kursyer mjaftueshëm”.
Duke analizuar mijëra brenga, identifikohen 4 kategori makro: keqardhje “themelore”, të cilat kanë të bëjnë me sigurinë si p.sh. “nëse nuk do të kisha shpenzuar shumë, nëse do të isha kujdesur për veten më shpejt”; ato që lidhen me guximin si: “po të kisha shfrytëzuar rastin, sikur të kisha kënaqur pasionin tim”; keqardhje për lidhjen “nëse nuk do të isha grindur me vëllanë tim” dhe ato morale, si për shembull një vjedhje e vogël ose pabesi në biznes (pendim). Pas secilës prej tyre mund të shohim një dëshirë që qëndron në themel të keqardhjes: përkatësisht nevojën për stabilitet, kërkimin e zhvillimit personal, dëshirën për dashuri ose nevojën për t’u ndjerë si njerëz të ndershëm dhe të respektueshëm.
Dhe këtu është lajmi i mirë: njohja e asaj që fshihet nën keqardhjen tonë na ndihmon të rregullojmë synimin në të ardhmen. “Kërkimet e shumta tregojnë se kujtimi i dështimeve përmirëson aftësitë tona strategjike dhe negociuese dhe thellon kuptimin që u japim veprimeve tona. Madje është ngritur vëmendja: disa studentë të cilëve iu tha se kishin dështuar në një test, u përmirësuan më shumë në testin tjetër sesa ata që iu thanë se kishin kaluar.”
NJË TRIK KUNDËR BRENGËS
Imagjinoni ndikimin e një vendimi në 10 vjet. A do të jemi të lumtur që i kemi kaluar mbrëmjet duke festuar apo do të pendohemi që nuk kemi mbaruar studimet? Dhe në çdo rast, edhe nëse më vonë e kuptojmë se kemi bërë një gabim dhe ndihemi si idiotë, nuk jemi vetëm: pothuajse të gjithë thonë se ndihen kështu. Sa për fatlumët që nuk përjetojnë asnjë mundim, ata ndoshta kanë një sekret tjetër: siç besonte shkrimtari holandez Godfried Bomans, “Shumë njerëz ia detyrojnë ndërgjegjen e tyre të pastër një kujtese të dobët”.