Nëse hedhim një sy të kujdesshëm nëpër markete do të shohim gjithmonë e më shumë rafte të mëdha me mbishkrimin “produkte të shëndetshme”. Kompanitë përdorin formulime të tilla në etiketat e produkteve dhe bëjnë një marketing të zgjuar për të tërhequr klientët që përpiqen të bëjnë zgjedhje më të shëndetshme për ushqimin cdo ditë. Shpesh shihni me gërma të mëdha në etiketa:
•pak yndyre
•vegan
•pa gluten
•karbohidrate të ulëta
Fatkeqësisht, vetëm se në një ushqim gjeni këto terma nuk do të thotë se është i mirë, më i ushqyeshëm apo më i shëndetshëm.
Më poshtë është një listë me ushqime që mund të mos jenë aq të shëndetshme sa i përshkruajnë:
1. Biskotat me fara dhe granola
Njerëzit janë të bindur se këto janë ndër ushqimet më të shëndetshme në dekada. Edhe pse disa granola dhe biskota me fara janë mjaft ushqyese, shumë prej tyre janë të mbushura me sheqer të shtuar dhe me shumë kalori. Për një shëndet optimal, është më mirë të kufizoni marrjen e sheqerit të shtuar sa më shumë që të jetë e mundur. Konsumimi i tepërt i sheqerit si tek të rriturit ashtu edhe tek fëmijët bëhet shkak për rritjen e rrezikut për:
• obezitet
• mëlçi e yndyrshme
• sëmundje të zemrës
Në vend që të blini granola apo shufra me fara të përgatitura paraprakisht në dyqan, provoni të bëni vetë në shtëpi. Mund të përdorni përbërës ushqyes si arrat, tërshërë dhe t’i shtoni ëmbëlsi me fruta të thata.
2. Kos i pasuruar me shije dhe aromë
Kosi është një zgjedhje e shëndetshme por vetëm nëse është pa sheqer të shtuar. Kosi i aromatizuar dhe me copa frutash mund të përmbajë më tëpër sheqer nga sa mund ta merrni me mend. Ajo që duhet të bëni për të marrë të gjitha vlerat e kosit por edhe ta pasuroni me shije, i shtoni copa frutash të freskëta.
3. Pijet dhe biskotat me proteina
Shumë njerëz kanë përshtypjen se sa më e lartë të jetë përmbajtja e proteinave në një ushqim apo pije, aq më i shëndetshëm është ai. Disa ushqime që janë natyralisht të pasura në proteina, si peshku, vezët dhe fasulet, janë pa dyshim një zgjedhje e shëndetshme. Megjithatë, artikujt si shufrat e proteinave dhe koktejat e proteinave mund të mos jenë aq të shëndetshme sa supozohet. Shumë persona të shëndetshëm që konsumojnë dieta të balancuara nuk kanë nevojë të marrin proteina shtesë përmes suplementeve. Por individët që bëjnë aktivitet të shtuar fizik dhe ata që ndjekin dietat vegjetariane dhe vegane mund të kërkojnë të marrin një sasi të shtuar të proteinave. Por këto produkte të ambalazhuara shpesh janë të ngarkuara me sheqer të shtuar dhe përbërës të panevojshëm si:
• ëmbëlsues artificialë
• ngjyra artificiale
• vajra
4. Pijet sportive dhe pije energjike
Ndërsa kompanitë tregtojnë pije sportive dhe pije energjike si mënyra alternative për të rritur energjinë dhe performancën atletike, këto pije janë të panevojshme për shumicën e njerëzve.
Ato gjithashtu mund të jenë të larta në përbërës si sheqer i shtuar, ngjyrues artificialë dhe sasi të mëdha stimuluesish, si kafeina.
Ndërsa disa atletë duhet të plotësojnë sasinë e lëndëve ushqyese të humbura me pije sportive pas stërvitjes intensive, shumica e njerëzve që kryejnë ushtrime të moderuara ose thjesht aktivitet normal ditor nuk kanë nevojë të konsumojnë pije sportive për të qëndruar të hidratuar. Këto pije preferohen edhe nga fëmijët e adoleshentët, gjë që është alarmante sepse studiuesit e kanë lidhur pirjen e tyre me probleme shëndetësore, duke përfshirë presionin e lartë të gjakut, mëlçinë e yndyrshme dhe obezitetin, që në moshë të hershme.
5. Ushqime të lehta pa gluten
Për njerëzit me çrregullime të lidhura me glutenin, shmangia e glutenit është e nevojshme.
Megjithatë, edhe nëse një ushqim është etiketuar si pa gluten, nuk është domosdoshmërisht më i shëndetshëm se ushqimet që përmbajnë gluten.
Disa ushqime dhe ëmbëlsira të përpunuara pa gluten përmbajnë po aq, nëse jo edhe më shumë kalori dhe sheqer të shtuar s ushqimet e tjera.
Për më tepër, studimet tregojnë se ushqimet e lehta pa gluten dhe artikujt e tjerë pa gluten priren të jenë më të ulëta në proteina, fibra dhe disa vitamina e minerale sesa homologet e tyre që përmbajnë gluten. Këto produkte pa gluten janë gjithashtu përgjithësisht më të shtrenjtë.
6. Disa produkte me pak yndyrë ose pa yndyrë
Vetëm për shkak se një ushqim ka sasi të ulët yndyre nuk do të thotë se është një zgjedhje më e shëndetshme. Prodhuesit e ushqimit shpesh zëvendësojnë yndyrën me sheqer në produkte me pak yndyrë dhe pa yndyrë për të kompensuar humbjen e shijes. Për më tepër, produktet pa yndyrë të ngopin më pak se versionet e tyre me yndyrë të plotë, sepse yndyra është një makronutrient që mbështet ndjenjën e ngopjes dhe e bën ushqimin më të këndshëm për t’u ngrënë.
7. Drithërat e mëngjesit
Shumë njerëz besojnë se drithërat e mëngjesit janë një mënyrë e zgjuar për të filluar ditën. Megjithatë, nuk është gjithmonë rasti. Në fakt, shumë drithëra të mëngjesit bëhen me drithëra të rafinuara, nuk kanë lëndë ushqyese mbushëse si proteina dhe fibra dhe mund të jenë shumë të larta në sheqer të shtuar. Edhe drithërat e tregtuara për të rriturit mund të jenë të mbushura me sheqer të shtuar.
Ngrënia e sasive të mëdha të drithërave, veçanërisht si pjesë e një diete që tashmë është e pasur me sheqer të shtuar, nuk promovon shëndetin e zemrës.
8. Disa vajra bimore
Trupi juaj ka nevojë për yndyrna omega-6 dhe yndyrna omega-3 – si acidi eicosapentaenoic (EPA) dhe acidi docosahexaenoic (DHA) – për të funksionuar. Fatkeqësisht, dietat moderne kanë një raport prej rreth 20:1, duke tejkaluar shumë nevojat e trupit për yndyrna omega-6. Hulumtimet kanë zbuluar se ky çekuilibër në raportin omega-6 ndaj omega-3 lidhet me inflamacionin sistemik dhe studimet tregojnë se mund të kontribuojë në rrezikun ndaj disa sëmundjeve. Shumica e njerëzve që ndjekin një dietë perëndimore konsumojnë shumë yndyra të pasura me omega-6 dhe jo mjaftueshëm omega-3.
Kryesisht konsumojnë me tepër:
• vajin e sojës
•vajin e misrit
•vajin e lulediellit
• produktet e bëra me këto vajra, duke përfshirë shumë ushqime të përpunuara, të parapaketuara
Zgjidhja është të rrisni sasinë e marrjes së omega-3. Burimet e mira të omega-3 përfshijnë:
• vaj liri
• peshk i yndyrshëm, si salmoni
• arra
9. Smoothie të përgatitura paraprakisht
Smoothies në shtëpi janë një zgjedhje ushqyese dhe një mënyrë e përshtatshme për të rritur konsumin e frutave dhe perimeve.
Por smoothiet e përgatitura paraprakisht nga disa zinxhire restorantesh apo baresh përmbajnë sasi të madhe kalorish dhe sheqeri.
Nëse blini një smoothie kur jeni jashtë shtëpisë, sigurohuni që të lexoni etiketën e përbërësve përpara se të porosisni. Shumë dyqane smoothie ofrojnë artikuj të bërë me kos të ngrirë, sherbet dhe aditivë të tjerë të mbushur me sheqer.
10. Sode dietike
Edhe pse soda dietike nuk përmban sheqer dhe në përgjithësi thuhet se ka zero kalori, studimet tregojnë se ata që pinë pije të gazuara dietike rregullisht kanë më shumë gjasa të zhvillojnë probleme shëndetësore sesa njerëzit që nuk pijnë. Pirja e tyre shoqërohet me një rrezik më të lartë të sindromës metabolike, një grup simptomash që përfshijnë rritjen e yndyrës së barkut, sheqerit në gjak, presionit të gjakut dhe niveleve të yndyrës në gjak.
11. Disa produkte me bazë bimore që zëvendësojnë mishin
Ndjekja e një diete të përqendruar te bimët dhe ngrënia e më pak apo aspak mish mund të ketë përfitime si për shëndetin ashtu edhe për mjedisin. Megjithatë, disa produkte zëvendësuese të mishit, vegane dhe me bazë bimore janë të mbushura me përbërës ultra të përpunuar, kripë dhe sheqer. Në vend që të blini këto alternativa shihni të gatuani ushqime të papërpunuara në shtëpi. Për shembull, mund të bëni hamburgerë me bazë bimore nga përbërës si fasule të zeza, kërpudha, oriz e të tjera.
12. Kos i ngrirë
Ndërsa kosi i ngrirë (i njohur gjithashtu si fro-yo) mund të jetë i shijshëm, nuk është gjithmonë një zgjedhje më e shëndetshme se akullorja e zakonshme. Kosi i ngrirë në përgjithësi ka më pak yndyrë se akullorja, por mund të jetë shumë i lartë në sheqer të shtuar. Dyqanet ku blini kosin e ngrirë ofrojnë gjithashtu një shumëllojshmëri të shtesave të shijes e cokollata të cilat shtojnë sasi të konsiderueshme sheqeri dhe të rrisin numrin e kalorive të porcionit që po hani.
13. Disa lloje qumështi, pije vegjetale me bazë bimore
Edhe pse qumështi i arrave, bajames e kështu me rradhë mund të jetë një alternativë e shkëlqyer për ata që janë intolerantë ndaj produkteve të qumështit, disa pije vegjetale që ne i njohim si qumësht bimor mund të mos jenë aq të shëndetshme sa mendoni. Përveç se kur shkruhet qartë në shishe se nuk përmban sheqer të shtuar, shumica e qumështit të bimëve përmban sheqer të shtuar për të përmirësuar shijen.
Për këtë arsye, është mirë të jeni të vëmendshëm që ta përzgjidhni pa sheqer të shtuar.
Edhe pse kompanitë ushqimore tregtojnë shumë ushqime dhe pije si “të shëndetshme”, disa mund të jenë mashtrim. Shumë nga këto ushqime janë të mbushura me sheqer të shtuar dhe përbërës të tjerë që mund të ndikojnë negativisht në shëndetin tuaj. Për më tepër shumë ushqime të tregtuara si opsione “më të shëndetshme” janë shumë më të shtrenjta se produktet e tjera.
Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të lexoni gjithmonë etiketën për të kuptuar se cfarë produkti keni në duar dhe cfarë do të hani.
hej.al