Magnezi, acidet yndyrore omega-3 dhe kafeina ndihmojnë në parandalimin e sulmeve të migrenës. Konsideroni të shtoni ushqime si zarzavate, avokado dhe peshk në dietën tuaj.
A ka ndonjë lidhje midis dietës dhe migrenës?
Pothuajse të gjithë kanë kohë pas kohe një dhimbje koke. Por për njerëzit me migrenë, dhimbja është shumë më serioze dhe shfaqet me simptoma të tjera. Vlerësohet se rreth 1.1 miliardë njerëz përjetojnë sulme të migrenës, duke e bërë atë shkakun e dytë kryesor të paaftësisë në nivel global.
Studimet dhe hulumtimet e fundit tregojnë se ushqimi dhe dieta luajnë një rol në menaxhimin e migrenës. Disa ndryshime në dietën tuaj mund të ndihmojë në parandalimin e sulmeve të migrenës ose në uljen e shpeshtësisë së tyre.
Cilat ushqime dhe pije janë të mira për migrenën?
Disa ushqime përmbajnë sasi të larta të mineraleve, vitaminave dhe acideve yndyrore që mund të ndihmojnë në parandalimin e migrenës. Ja një listë e ushqimeve që mund të shtoni në dietën tuaj:
• Ushqime të pasura me magnez, si zarzavate me gjethe të errëta, avokado dhe ton.
• Acidet yndyrore omega-3, ushqime që përfshijnë peshkun, si skumbri dhe salmoni, farat dhe bishtajoret.
• Ushqimet ketogjenike: Mund të mos jetë për të gjithë, por hulumtimi tregon se një dietë “keto” mund të ndihmojë në reduktimin e sulmeve të migrenës në krahasim me një dietë standarde. Kjo do të thotë të hani ushqime që janë të ulëta në karbohidrate dhe të larta në yndyrë, si ushqimet e detit, perimet pa niseshte dhe vezët. Flisni gjithmonë me një mjek ose një dietolog përpara se të filloni një dietë “keto”, pasi ka rreziqe.
• Uji: Ruajtja e niveleve të mira të hidratimit ndihmojnë në parandalimin e migrenës dhe reduktimin e simptomave, pasi dehidrimi mund të jetë një shkaktar i migrenës. Disa çajra kanë gjithashtu përfitime shtesë, të tilla si reduktimi i simptomave të të përzierave ose dhimbjes së kokës.
Shmangia e ushqimeve të përpunuara dhe zgjedhja e ushqimeve të plota dhe të papërpunuara është përgjithësisht një këshillë e mirë për të gjithë, megjithëse është e vështirë të shmangni plotësisht ushqimet e përpunuara. Nëse shihni se produkti që keni zgjedhur ka aditivë si aromatizues artificialë, ëmbëlsues ose konservues që janë shkaktarë të migrenës, përpiquni t’i shmangni ato në pjesën më të madhe të dietës suaj.
Rreth dietave eliminuese
Disa njerëz që kanë sulme të migrenës përpiqen të ndjekin dieta eliminuese (si keto) për të zgjidhur problemin. Dietat e eliminimit që ndërpresin grupe të caktuara ushqimesh çojnë në kequshqyerje. Në disa raste kjo mund të shkaktojë shumë më tepër dëm sesa dobi.
Si përshkruhet një sulm i migrenës?
Episodet e migrenës janë të ndryshme nga dhimbjet e zakonshme të kokës. Ato kanë tendencë të zgjasin më gjatë, të jenë më të dhimbshme dhe të kenë më shumë efekte fizike. Këto simptoma përfshijnë:
• të përziera ose të vjella
• ndryshimet e shikimit
• ndjeshmëri ekstreme ndaj dritave, erërave dhe tingujve
• ndjesi shpimi gjilpërash dhe mpirje në duar dhe këmbë
Mund të ndjeni dhimbje migrene në njërën anë të kokës ose në të dyja anët.
Disa njerëz përjetojnë migrenë me aurë. Kjo fazë zakonisht ndodh para fazës së dhimbjes së kokës, por mund të ndodhë së bashku me të.
Aura përfshin:
• ndezje ose shkëndija drite
• ndjesi shpimi gjilpërash në trup
• sheh “valët e të nxehtit”
• vështirësi në të folurit qartë ose në gjetjen e fjalëve të duhura (afazi kalimtare)
• dobësi e muskujve
Kush preket nga migrena?
Njerëzit e çdo moshe mund të preken nga migrena – përfshirë fëmijët. Disa faktorë që ju bëjnë më të prirur ndaj migrenës:
• Mosha: Migrena ndodh më shpesh tek personat e moshës 18 deri në 44 vjeç.
• Seksi: Përafërsisht 3 nga 4 persona me migrenë janë femra.
• Gjenetika: Njerëzit me një histori familjare të migrenës kanë më shumë të ngjarë të zhvillojnë këtë gjendje.
Çfarë mund ta shkaktojë një sulm migrene?
Mjekët e dinë se disa faktorë shkaktojnë sulme migrene, megjithëse jo çdo person reagon në të njëjtën mënyrë ndaj tyre. Shkaktarët e mundshëm janë:
• stresi dhe ankthi
• ndryshimet hormonale
• medikamente të caktuara ose përdorimi i tepruar i medikamenteve, steroidet dhe qetësuesit e dhimbjes me recetë
• cilësi e dobët e gjumit ose çrregullime të gjumit, të tilla si pagjumësia ose apnea e gjumit
• ndryshimet e motit
Cilat ushqime mund të shkaktojnë migrenë?
Ushqimi dhe kimikatet në të mund të shkaktojnë sulme të migrenës. Ndonëse nuk ka një listë të caktuar të ushqimeve ose pijeve që shkaktojnë ose nuk shkaktojnë një sulm migrenë sipas rrëfimeve të personave që vuajnë nga migrena studiuesit kanë dalë në një konkluzion:
• ushqime të pasura me nitrate, të tilla si mishi i pjekur dhe hot dogët
• glutamat monosodium (MSG), një aditiv që gjendet shpesh në ushqimet e përpunuara
• ëmbëlsues artificialë, veçanërisht aspartam dhe sukralozë
• tyramine, një kimikat që gjendet në ushqimet e fermentuara, djathërat e vjetëruar dhe disa lloje buke
• feniletilaminë, një aminoacid që gjendet në çokollatë, arra, agrume, ushqime soje dhe uthull
• pije alkoolike si vera dhe birra
• produkte qumështi dhe akullore
• pije që përmbajnë kafeinë si kafeja
• perime të caktuara, duke përfshirë domatet dhe qepët
• ushqime që përmbajnë histaminë, duke përfshirë alkoolin, ushqimet e fermentuara, frutat e thata dhe të tjera
• gluten, një proteinë që gjendet në grurë
Nevojiten më shumë kërkime për të kuptuar nëse shkaku i vërtetë është uria, ushqimi apo kombinimi i tyre. Një tjetër fajtor i mundshëm mund të jenë temperaturat e ushqimit. Ngrënia ose pirja e diçkaje që është shumë e nxehtë ose shumë e ftohtë ndonjëherë mund të shkaktojë një sulm migrene.
Rreth kafeinës
Kafeina është një pikë e nxehtë dhe ende e diskutuar për efektet që ka. Disa studiues besojnë se është një shkak për migrenën. Megjithatë sipas Fondacionit Amerikan të Migrenës, mund të ndihmojë në lehtësimin e migrenës, të paktën nëse merret në sasi të kufizuara. Kafeina është një përbërës aktiv në disa medikamente kundër dhimbjes së kokës. Studimet kërkimore tregojnë gjithashtu se kafeina mund të lehtësojë dhimbjen në situata akute. Por kujdes – marrja e përditshme e kafeinës mund të zbehë efektet e saj të dobishme.
Si mund të trajtohet ndryshe migrena?
Ka disa kura natyrale që mund të provoni duke përfshirë suplemente si:
• magnez
• vitaminë B2 (riboflavin)
• acidet yndyrore omega-3
Gjithmonë flisni me një mjek përpara se të përfshini ndonjë suplement të ri në dietën tuaj pasi mund të ndodhin ndërveprime.
Hulumtimet janë në vazhdim kur bëhet fjalë për trajtimet e migrenës. Nëse keni migrenë ose mendoni se keni simptoma të migrenës, kontaktoni një mjek. Ata mund të sugjerojnë teste, të tilla si një skanim CT ose një analizë gjaku, për të vendosur diagnozën e duhur që është çelësi i trajtimit që funksionon për ju.
hej.al