Pediatrja Lira Gjika, e cila vazhdimisht është shumë aktive me këshilla në emisione apo rrjetet e saj sociale, këtë herë përmes një postimi në facebook ka folur për një dukuri që e dëgjojmë shpesh: “Fëmija im është shumë i lëvizshëm”.
Për të gjitha ju nëna që keni këtë “problem”, doktoresh Gjika ju këshillon: “Kur fëmija mëson të eci ai nuk ngopet së lëvizuri. Shijon me gjithë fantazinë e tij habinë e lëvizjes së vet. Sheh dhe prek atë që do vetë dhe kur do vetë. Kupton se ai mund të bëjë vetë ca gjëra dhe të vendosë vetë për ca gjëra. Të gjitha këto veprime që duken si pa rëndësi, tregojnë se ai ka arritur një nivel të caktuar rritje si fizike ashtu dhe psikoemocional. Por mos harroni që ai po rritet, nuk është i rritur.
Ecja sëbashku me mënyrën e të mësuarit të fjalës, eksplorimit të ambjentit, trashëgiminë dhe lidhjen nënë fëmijë janë 5 elementët kryesorë që ndërtojnë dhe influencojnë direkt në ndërtimin dhe rritjen e personalitetit të fëmjës, pra në shëndetin mendor të njeriut.
Jo më kot të gjithë specialistët e fëmijëve sidomos ata që meren me rritjen dhe zhvillimin, rekomandojnë kujdes, vëmëndje dhe njohje të këtyre elementëve dhe kohën kur zhvillohen, ata janë si kundër neglizhimit ashtu dhe kundër mbrojtjes së tepruar se të dyja janë njësoj të dëmshme. Të rriturve që janë pranë fëmijës, duhet të pranojnë idenë që fëmija gjithçka do ta realizojë vetë dhe sipas mënyrës së tij. I rrituri duhet ti krijojë një mjedis të sigurt dhe të pasur me elementë për të zbuluar. Ai, i rrituri, duhet vetëm ta ndjekë, duke i shpjeguar kur pyetet, duke e inkurajuar, kur nuk arrin ta realizojë dhe duke e përgëzuar për arritjet.
Fëmija është duke u rritur dhe do një kohë për të mësuar dhe për të realizuar një veprim qoftë ky fizik apo psiqik. Ajo që duhet të bëjë i rrituri është të mësojë të dijë se çfarë ndodh në një moshë të caktuar dhe të njohë gjuhën e fëmijës. Kemi thënë se fëmija nuk bën asgjë kot. Çdo fjalë, çdo veprim ka një kuptim të caktuar për atë. Shpesh fëmija nuk arrin të realizojë idenë, pse të rriturit nuk e kuptojnë. Dhe një nga gjërat pa kuptim për fëmijën është dhe fjala mos lëviz. Si mos të lëvizi, po si mund të njohësh gjërat dhe mjedisin pa lëvizur? Ai akoma nuk është aq i rritur që ti jenë formuar mekanizmat psiqikë që, për të njohur një gjë, të mos kesh nevojë të lëvizësh. Ky mekanizëm ndërtohet më vonë, karakteristikë e moshës 2-8 vjeç është që fëmija i mëson gjërat në lëvizje, i dëgjon gjërat në lëvizje. Ai është i qetë vetëm kur fle, nuk mund të rrijë 5 minuta në një vend, e para është duke u rritur e dyta ka shumë energji”, shkruan peditrja Lira Gjika./hej.al