Prada do t’i çojë kostumet e saj në nivelin tjetër pasi shtëpia italiane e modës njoftoi partneritetin me Axiom Space për të krijuar kostumet hapësinore për astronautët.
Këtë javë, marka luksoze në Milano njoftoi bashkëpunimin me kompaninë komerciale të hapësirës për të krijuar kostumet hapësinore të Nasa-s për misionin Artemis III të vitit 2025 – fluturimi i parë me ekuipazh në Hënë që nga Apollo 17 në 1972.
“Ekspertiza teknike e Prada-s me lëndët e para, teknikat e prodhimit dhe konceptet inovative të dizajnit do të sjellë teknologji të avancuara për të siguruar komoditet,” tha CEO i Axiom Space, Michael Suffredini.
Drejtori i marketingut i Prada-s, Lorenzo Bertelli, vlerësoi partneritetin, duke e cilësuar atë një “festim të vërtetë të fuqisë së krijimtarisë njerëzore dhe inovacionit për të çuar përpara qytetërimin.”
Të dy kompanitë thanë se kostumi hapësinor AxEMU do t’u sigurojë astronautëve aftësi të avancuara për eksplorimin e hapësirës, ndërsa do t’u ofrojë NASA-s sisteme njerëzore të zhvilluara për të hyrë, jetuar dhe punuar në dhe rreth Hënës./Hej.al