Të gjithë njerëzit, pa përjashtim, gëzohen kur dikush u bën një dhuratë. Edhe pse dhurata në vetvete është një send, ajo të gëzon shumë. Dhurata përfaqëson kujdesin dhe kujtesën e një njeriu për tjetrin. Një njeri që ka vendosur të bëj një dhuratë, është kujtuar dhe ka menduar për tjetrin. Kjo veti e të bërit dhuratë e cila është karakteristikë e të qenit i rritur, duhet transmetuar dhe kultivuar te fëmija.
Kur i mësojmë fëmijës të bëjë dhurata i nxitim fëmijës kënaqësinë e të dhënit dhe të mendojë për tjetrin dhe çfarë mund ti dhurojë. Edhe pse fëmija deri në tetë vjeç nuk e ka të lehtë të bëjë dhurata pasi nuk janë formuar ende mekanizmat trunorë dhe mendorë për një proces të tille, të rriturit pranë tij mund ta ftojnë t’i ndihmojë kur paketojnë apo zgjedhin dhurata sidomos në rast festash, gjithashtu mund t’i kërkohet të vogli të bëj një vizatim apo të mbledh lule dhe t’i dhurojë.
Mund t’i kërkohet ndonjë lodër që ai nuk e përdor më, por kini kujdes prindër, nëse nuk pranon, mos e bëni të ndihet i keq apo në faj.
Të mësuarit e të dhuruarit është një proces i tërë rritjeje dhe kërkon kohën e vet prandaj kujdes me etiketimet. Do të vijë dita ta mësojë e zhvillojë edhe këtë veti, por mësimi mos të provokohet nga ndjenja e fajit, pra që të bëhet i mirë në sytë e të tjerëve. Dhurata duhet bërë në nderim të vetes dhe të respektit për tjetrin. Të përpiqemi të gjithë t’i mësojmë fëmijëve me përgjegjësi kënaqësinë e të dhënit.