Blerina Lako, e cila shërben në misionin humanitar në Ukrainë ka rrëfyer jetën e saj mes sirenave të luftës që përshkojnë vendin që pas pushtimit rus të vitit të kaluar.
Lako e cila ka shërbyer në vende si Iraku dhe Sudani, tashmë tregon për emisionin “Jetë Shqiptare” në RTSH1 edhe misionin e saj në Ukrainë. Ajo thekson se si vend në luftë dominon frika, e cila bëhet më e pranishme gjatë natës kur lëshohet alarmi dhe ka pasur sulme ushtarake.
“Siguri nuk ka askund për më tepër në një kontekst ku është lufta, nata është me frikë sepse ka pasur sulme të shpeshta. Më pas ditën del dhe sheh njerëzit në rrugë dhe thua që kam qenë në ëndërr apo e kam përjetuar realisht”, shprehet Lako. Ndërsa shton se “duhet të ndjekësh protokollin dhe të kesh kujdes për veten”
Gjithsesi ajo shprehet se pavarësisht situatës në luftë ku ndodhet Ukraina, ka mundur të gjejë kurajën për t’ia dalë në misionin e saj humanitar.
“Para 2-3 javësh ishin të përnatshme sinjalet dhe duhet të shkonim në bodrum. Por tani është më e qetë situata por sa herë që ti shkon në shtrat thua a do të ketë alarme sot. Nuk është e lehtë, por nga ana tjetër kur mendon se për çfarë je këtu gjen kurajën për t’ia dalë sfidave me të cilat përballemi”, nënvizoi Lako.
Ajo ka rrëfyer më tej edhe gjendjen në terren teksa shpjegon se “situata këtu është e vështirë, edhe pse nuk jam afër frontit të luftës, dëgjoj që situata është e vështirë, natën duhet të ruajnë fëmijët e tyre dhe të mos rrezikohen”
Lako vë në dukje se lufta i ka ndryshuar përgjithmonë ukrainasit.
“Mendoj se kjo luftë dhe kjo situatë i ka ndryshuar përgjithmonë ukrainasit. Ata përpiqen të jetojnë ditën e plotë sepse e nesërmja nuk dihet. Këta njerëz mua më inspirojnë çdo ditë”, tha ndër të tjera Lako.