Naim Pejman (Naim Payman) me origjinë nga India, vetëm 29-vjeç ka rrëfyer jetën e tij në Shqipëri dhe më pas largimin në Britaninë e Madhe ku nisi edhe hapjen e një sërë bizneseve.
Në një intervistë për emisionin “Jetë Shqiptare” në RTSH 1 Pejman ka treguar mbërritjen nga India të prindërve të tij të cilët u vendosën në Shqipëri.
“Në Shqipëri në vitin 1991 mbërritën në Shqipëri iu pëlqeu dhe vendosën të qëndrojnë”, shprehet Pejman.
Ai thotë se ndihet më shumë se 100 për qind shqiptar duke qenë se është rritur në Shqipëri. Madje ka marrë paksa edhe nga temperamenti shqiptar.
“Jam rritur këtu, shokët dhe shoqet i kam pasur këtu, jam kthyer sërish për të jetuar këtu. Ndryshe nga shumë shokë që kanë ikur. Kam marrë gjaknxehtësinë e shqiptarëve, pak në vlim e sipër. Ndoshta edhe një aftësi për të zgjidhur problemet me sendet që na ndodhen vërdallë”, thotë më tej 29-vjeçari.
Ai shpjegon se ka ndjerë një farë ftohtësie kur mësonte në shkollë por që atmosfera ishte përgjithësisht pozitive.
“Nuk ka pasur ndonjë përjashtim më të madh, ka qenë një ndryshim, normalisht që isha i huaj në klasë. Ka pasur komente nga pak individë por që shumicën e kohës ka qenë pozitive”, nënvizon Pejman.
Pejman thotë se vitet e para të integrimit të prindërve të tij kanë qenë të vështira duke qenë se përballeshin me po ato sfida që përballej çdo qytetar shqiptar.
“Ndoshta për ata ka qenë një shok më i madh, ata kanë ardhur në 1991 me ata që ktheheshin në Shqipëri nga Italia. Ka pasur racione për ushqimin dhe gjetja e ushqimit ka qenë sfidë.
Gjuhën nuk e flisnin, janë detyruar ta mësojnë sa më parë kanë pasur mundësi.
Nuk ka qenë aq e thjesht për ta. Ndërsa për muam, unë jam rritur këtu, normalisht që ka pasur vështirësi, askush nuk kishte ujë dhe ne nuk kishim ujë, kur vinte uji mbushnim shishet. Nuk është se kishte një jetë ndryshe”, tregon Pejman.
Ai rrëfen edhe nisjen e bizneseve në Britaninë e Madhe ku shkoi të studionte edhe në universitetin e Kembrixhit.
“Bëra dy vitet e fundit të shkollës së mesme, më pas ndoqa shkollën e lartë dhe u ktheva prapë. Kam kontribuar si vullnetar në Haifa të Izraelit në qendrën botërore “Bahai”.
Kam pasur një dëshirë për të studiuar në Kembrixh, pasi kisha dëgjuar se është universiteti më i mirë në botë. E kam pasur mendjen që atje do shkoj.
Biznesi i parë që hapa në Angli ishte një agjenci për nxënës që donin të shkonin të bënin shkollën e mesme.
Më pas krijova një biznes tjetër për krijimin e faqeve dhe aplikacioneve. Por biznesi që u rrit më shpejt ishte menaxhimi i shtëpive me qira ditore”, shpjegon 29-vjeçari indian.
Ai shton se për të qenë një sipërmarrës i suksesshëm “duhet të ketë guxim të riskut që ndërmerr dhe fat. Në biznes je kur thua që ose mund të ecë shumë mirë ose mund të ecë shumë keq”.