Vjedhja e shtëpive të VIP-ave, dhe rreziku i jetës ka qenë temë e ditës në emisionin “Jetë shqiptare”. Duke u përqendruar te vjedhja e banesës së reperit të njohur Mozzik, ku u morën mbi 100 mijë euro dhe 16 armë, gazetarja Liesa Haxhiasllani deklaroi se ndaj artistit është drejtuar më herët një paralajmërim dhe nuk dihet nëse ekziston një lidhje mes këtyre ngjarjeve.
“Një nga lajmet më të diskutuara është ai i Mozik. Paratë që kanë gjetur, armët janë një tjetër rast që ka bërë fansat të komentojnë në rrjete sociale, 16 armë me leje.
Në rastin e artistëve i kemi dëgjuar. Mund të konsiderohen dhe para xhepi për ta. Fitimet më të mëdha i kanë në koncerte jashtë shtëpie. Nuk kemi parë që Mozik të jetë aq i kërcënuar për aq armë, por një paralajmërim për një sulm të mundshëm e ka pasur, sepse studio muzikore e tij është sulmuar para disa kohësh.
Kërkonte ndihmën e policisë asokohe, dhe mund të konsiderohet paralajmërim. Konflikte të hapura Mozik nuk ka treguar se mund të ketë”, u shpreh gazetarja.
Më tej, Haxhiasllani u shpreh se një arsye përse ndodhin vjedhjet e shtëpive të vipave, mund të lidhet edhe si rezultat i ekspozimit të jetës së luksit në rrjete sociale.
“Mozzik tregoi se ishin fshirë materialet dhe tregon se mund të jetë një person që e njeh mirë edhe shtëpinë. S’besoj se Mozik ka nevojë për vëmendje, sepse e ka.
Të gjithë janë personazhe që ekspozojnë luksin në rrjete sociale. Janë personazhe që tregojnë veshjet e shtrenjta, që sikur i nxisin pak”, tha Haxhiasllani.
Ndërsa eksperti i sigurisë në Kosovë, Drizan Shala u shpreh se shumica e VIP-ave bëjnë deklarime të rreme të pasurisë. Ai theksoi se fakti që Mozzik mund posedonte 16 armë me leje, mund të ketë qenë edhe si arsye e koleksionimit.
Sa i përket çështjes së shumës prej 100 mijë euro të grabitura nga shtëpia e reperit, Shala u shpreh se kjo duhet të jetë çështje e krimit ekonomik, pasi sipas tij, “100 mijë euro në kushte normale nuk është normale në kushtet e Republikës së Kosovës”. Fokusi, sipas tij, duhet të jetë te vëmendja.
“E vërtetë që një person merr leje dhe mund të ketë më shumë se 15 armë, i koleksionon. Duhet të jemi të kujdesshëm që para të tilla duhet të alarmojë krimin ekonomik. 100 mijë euro në kushte normale nuk është normale në kushtet e Republikës së Kosovës.
Ka disa kategori për armët, të cilat mund të merren me leje në moshën mbi 21 vjeç. Ai mund t’i mbajë si kolesion. Policia ka kontrolle, inspektime që armët ruhen të sigurta”, tha ai.