Një baba shqiptar dhe marrëdhënia e saj e re sentimentale në programin “Grande Fratello” ka shkaktuar “zhurmë” të madhe në Itali.
Vajza 26-vjeçare u detyrua të lërë programin, pasi me futjen në shtëpi të babait, ajo u detyrua të ndërpresë romancën e nisur me një tjetër konkurrent.
Arsyet e kundërshtimit nga babai ishin diferenca në moshë, pasi personi tjetër ishte 47 vjeç, dhe marrëdhënia u zbulua në sytë e publikut të gjerë italian.
Në studion e “Jetë shqiptare” në RTSH u diskutua të premten situata e pazakontë dhe sa është emancipuar shoqëria shqiptare përtej vendit.
Të ftuarit folën për fenomenin social të ndërhyrjes prindërore në vendimet e fëmijëve të tyre.
“Qenia njerëzore, problemin më të madh ka pjesën e komunikimit dhe ajo do të jetë qenie sociale. Mendoj se këto janë eksperimente, siç ishte fenomeni i hipive në vitet 1970 dhe trende të tilla, me ndryshimin e kohës, me avancimin e psikikës së njeriut, qëndrojnë ose ikin,” tha pedagogia Nora Malaj.
Zhvillimi social përplasi dy mentalitete, atë italian dhe shqiptar, sipas gazetares Vjollca Cumraku.
“Shoqëria italiane ka një diferencë mentaliteti që u vu re në këtë program. Këtu është gjykuar më shumë nga ana negative, pasi babai në njëfarë mënyre vendosi për vajzën, ai u pa sikur bëri presion psikologjik me mënyrën si hyri, si veproi, si e fajësoi vajzën. Babain e quajtën një baba ‘padron’,” tha gazetarja nga Italia.
Znj. Malaj kujtoi një studim të dy dekadave më parë për përshtatjen e shqiptarëve me kushtet e Italisë.
“Në vitin 2002 kemi bërë një studim me Universitetin e Bolonjës. Qasja dhe identiteti i grave fliste shumë bukur italisht, ndërsa problematikat ishin të fshehura në subkoshiencë. Për sa i përket meshkujve, ndonëse ishin të fortë në biznes, kur vinte puna te ruajtja e familjes ata ishin konservatorë dhe e kishin të vështirë të përshtateshin me jetën ambigue. Shoqëria shqiptare ka problematikën e konservatorizmit të fortë, e burrit të fortë, dëshirën e limituar të gruas. Por edhe vetë Italia ka probleme të paragjykimit nga jugu në veri,” tha znj. Malaj.
Marrëdhënia baba-vajzë dhe vajzë-partner është komentuar shumë, dhe për ekspertin e komunikimit, Rezart Cenaj, kjo ka edhe shkaqe sociologjike.
“Sipas sociologëve, marrëdhëniet midis një burri më të madh dhe një vajze më të vogël perceptohen më keq. Kjo lloj marrëdhënieje perceptohet si marrëdhënie abuzive në shoqëri,” tha z. Cenaj.
Miqtë e konkurrentit 47-vjeçar që tentoi një lidhje me vajzën shqiptare kanë thënë se do e padisin babain e saj për prishje imazhi.p