Sipas një studimi të ri, personat në moshë që ndoqën një dietë mesdhetare dhe u stërvitën të paktën deri në gjashtë ditë në javë, humbën sasi të konsiderueshme të yndyrës trupore deri në fund të një viti.
“Ky studim tregon se një dietë mesdhetare e kontrolluar bashkë me stërvitje nuk sjell vetëm humbje peshe dhe dhjami por gjithashtu sjell si rezultat edhe një trup me muskuj” tha Dr. David Katz, një specialist.
Përveç humbjes së yndyrës së përgjithshme të trupit, pjesëmarrësit në studim humbën yndyrën e rrezikshme viscerale të barkut, e cila mund të shkaktojë diabet, sëmundje të zemrës dhe goditje në tru.
Yndyra viscerale nuk mund të shihet. Kjo yndyrë qëndrojn pas muskujve të stomakut, organeve përreth thellë brenda barkut. Nëse dhjami visceral është rreth 10% e masës totale yndyrore të trupit tuaj, kjo është normale dhe e shëndetshme, sipas Klinikës Cleveland. Megjithatë, shumë yndyrë viscerale mund të krijojë inflamacion, duke shkaktuar sëmundje kronike.
Hulumtimi është pjesë e një sprove klinike tetëvjeçare të rastësishme në Spanjë, me 23 qendra kërkimore që testojnë se si dieta dhe stërvitja mund të zvogëlojnë rrezikun kardiovaskular tek burrat dhe gratë midis moshës 55 dhe 75 vjeç. Të gjithë 6,874 pjesëmarrësit në provë ishin mbipeshë ose obezë.
Studimi i ri, i botuar në revistën JAMA Network Open, ekzaminoi rezultatet një dhe trevjeçare në një popullatë prej 1,521 personash që iu nënshtruan skanimeve për të përcaktuar nivelet e yndyrës së brendshme të barkut.
Gjysmës së grupit iu kërkua të ndiqte një dietë mesdhetare me një reduktim 30% të kalorive dhe të kufizonte konsumin e sheqerit, biskotave, bukës, drithërave, gjalpë, krem, mish të përpunuar dhe pije të ëmbla. Përveç kësaj, grupi i ndërhyrjes mori ndihmë nga dietologë tre herë në muaj gjatë vitit të parë, së bashku me trajnimin se si të vetë-monitorohen dhe të vendosen objektiva.
Të njëjtit grup iu kërkua gjithashtu të rriste ushtrimet e tyre aerobike me kalimin e kohës në ecje 45 ose më shumë minuta në ditë, së bashku me ushtrime për të përmirësuar forcën, fleksibilitetin dhe ekuilibrin.
Studimet kanë zbuluar se dieta mesdhetare mund të zvogëlojë rrezikun e diabetit, kolesterolit të lartë, demencës, humbjes së kujtesës, depresionit dhe kancerit të gjirit. Dieta, e cila është më shumë një stil i të ushqyerit sesa një dietë e kufizuar, ndihmon për kocka më të forta, një zemër më të shëndetshme dhe jetë më të gjatë.
Dieta përmban gatim të thjeshtë, me bazë bimore, me shumicën e çdo vakti të fokusuar në fruta dhe perime, drithëra, fasule dhe fara, me pak arra dhe një rëndësi të madhe te vaji i ullirit ekstra i virgjër. Yndyrat e tjera përveç vajit të ullirit, si gjalpi, konsumohen rrallë, ose fare, dhe sheqeri dhe ushqimet e rafinuara mund të konsumohen vetëm për raste të veçanta.
Mishi i kuq përdoret me masë, zakonisht vetëm për të shijuar një pjatë. Ngrënia e peshkut të shëndetshëm, me vaj, i cili është i mbushur me acide yndyrore omega-3, rekomandohet, ndërsa vezët, qumështi dhe shpendët hahen në porcione shumë më të vogla sesa në dietën tradicionale perëndimore.
Ndërveprimet sociale gjatë vakteve dhe stërvitjes janë gurët themelorë të stilit mesdhetar të të ngrënit. Ndryshimet e stilit të jetesës që janë pjesë e dietës përfshijnë ngrënien me miqtë dhe familjen, shoqërimin gjatë vakteve, ngrënien e ushqimeve të preferuara me vëmendje, si dhe lëvizjet dhe ushtrimet e kujdesshme./hej.al