Klodiana Kondo është kthyer nga Kanadaja në Shqipëri, me profesion arkeologe, por që i la të gjitha dhe tani merret me poçerinë. Këtë të shtunë Kondo ishte e ftuar në Livingroom nga Brunilda Lahe për të prezantuar historinë e saj frymëzuese.
“Unë jam e diplomuar në arkeologji dhe kam punuar në kërkime. Si e tillë gjatë kërkimeve arkeologjike që bënim gjenim poça kryesisht dhe gëzonim shumë, kështu u lidha me këtë objekt. Poçeria më nisi si një hobi dhe kërkova një kurs për qeramikën në Kanada. Punimi i baltës më jepte shumë kënaqësi. Në Kanada bëja një punë 9 me 5 si burime njerëzore, por krahas saj edhe poçerinë.
Para 2 vitesh mora një pushim nga puna dhe u ktheva në Tiranë pranë familjes. Kontaktova në Instagram për poçerinë dhe qeramikën, por nuk arrita asnjë kontakt. Kur erdha në Tiranë doja të bëja diçka ndryshe dhe kështu e krijova poçerinë time. E kisha ndarë mendjen dhe lëndën bazë e kam sjellë që nga Kanadaja. Balta që punoj është e huaj.
Në fillim klientët e mi ishin 80% të huaj, por tani raportet kanë ndryshuar janë 70% shqiptarë dhe 30% të huaj, persona me profesione të ndryshme. Gjithashtu ka njerëz që marrin mësime dhe kam studentë që nga klasa e parë, të cilët vazhdojnë ende edhe sot.
Për ne ka rëndësi që objekti të jetë funksional, jo vetëm dekorativ.”,tha Kondo./Hej.al