Nga Lira Gjika
Roli i gjyshes është i pazëvendësueshëm, por jo i domosdoshëm si ai i nënës. Gjyshja ka fituar aftësinë e vetëkontrollit dhe përzgjedh shumë mirë veprimin dhe fjalën e saj. Gjyshja komunikon me mbesën apo nipin, duke fuqizuar figurën e nënës, sidomos kur ajo nuk është e pranishme.
Ajo duhet t’i afrohet fëmijës gjithmonë nëpërmjet nënës dhe duke ruajtur figurën e saj. Gjyshja nuk mund ta zëvendësojë nënën. Megjithatë është personi më i përshtatshëm për të qëndruar me fëmijën në mungesë të saj. Rëndësi të veçantë gjyshja merr në disa situata të caktuara. Ajo duhet të asistojë nënën e re, veçanërisht në ditët dhe javët e para të jetës së fëmijës me qetësinë, inkurajimin dhe vetëkontrollin e saj, duke e siguruar nënën e re, se shumë shpejt ajo do t’ia dalë mbanë. Ajo siguron prindërit e rinj se është vetëm çështje kohe, ata janë duke ndërtuar një rutinë të re në mënyrën e të sjellurit dhe të menduarit.
Tashmë janë tre, nëna, babai dhe fëmija. Këtu qëndron dhe misioni i gjyshes, të ndërgjegjësojë dy të rinjtë e sapo bërë prindër që tashmë ata janë tre, bashkë apo veç e veç. Ata si prindër janë të pandashëm përballë fëmijës së tyre./Hej.al