Këngëtarja Elsa Lila që prej më shumë se dy dekadash jeton në Itali, e cilëson si ngjarjen më të rëndë në jetën e saj arrestimin e para disa muajve në shtetin italian, e dyshuar si pjesë e një grupi të trafikut të drogës.
Elsa Lila qëndroi dy muaj në paraburgim në Itali dhe më pas u provua pafajësia e saj dhe u la e lirë.
Në një intervistë për emisionin Opinion, Elsa Lila tregoi se shkaku i arrestimit të saj ka qenë njohja me 2 prej shqiptarëve që ishin pjesë e rrjetit të drogës, me të cilët ishte takuar në disa raste.
“Për mua kjo mbetet pikëpyetje shumë e madhe nga momenti që jam e pafajshme dhe nuk kam asnjë lidhje. Sistemi i drejtësisë italiane sidomos në rastin e grupazheve është një sistem i mbrapshtë.
Ata në filim bllokojnë grupin i cili dyshohet për diçka dhe më pas ky grup krasitet deri kur mbetet bërthama kryesore dhe ata që nuk kanë lidhje lirohen. Në këtë lloj sistemi grupazhi që mori brenda shumë njerëz qëllova edhe unë.
Unë duke qenë personazh publik në Romë, dy prej shqiptarëve që unë njihja, mesa duket merreshin me aktivitet për të cilat unë nuk isha në dijeni. Telefoni im ka qenë i vetmi objekt i sekuestruar, nga apartamenti im procesverbali ka qenë shumë i varfër.
Më pas pas disa muajsh këto objekte më janë rikthyer pasi nuk përbënin asnjë provë kundër meje pasi ishin pa asnjë lloj lidhje me këtë lloj grupazhi.
Pasi unë gjatë gjithë këtyre 2 muajve në të cilat vuajta jolirinë time dhe zhdukjen nga shoqëria… Hallka që më lidhte ishte njohja.
Për mua është mister i jashtëzakonshëm. Unë isha parë duke ngrënë darka apo dreka me këta persona, isha parë duke i frekuentuar. Këto ishin provat kryesore.
Nëpërmjet avokatit im, i cili u gjet pas arrestimit tim, më është dhënë nga shteti italian, më shpjegoi dhe më tregoi më vonë që ndërkohë atë natë në shtëpitë e gjithë këtyre personazheve të tjerë, në procesverbalet e sekuestrimeve ishin shumë të pasura me elementë të jashtëligjshëm, janë gjetur para, armë, lëndë narkotike. Ndërkohë që në shtëpinë time nuk është gjetur asgjë.
Celulari im nuk ka pasur asnjë lloj marrëdhënie telefonike as me këtë grupazh as me këta persona.
Ishte ngjarja më e rëndë që më ka ndodhur më jetën time dhe që nuk ja uroj askujt sepse ja që ndodhka që të jesh i pafajshëm dhe të përfundosh në një histori absurde. Kush më njeh nga afër e di shumë mirë se si jetoj, i njeh shumë mirë principet e mia, vlerat e mia. Ishte thjesht një absurditet”, tha ajo.
Të shumta kanë qenë edhe pyetjet e publikut në momentin e arrestimit të Elsa Lilës, se me çfarë jetonte këngëtarja shqiptare pasi prej vitesh nuk ishte aktive në muzikë.
Edhe këtyre dyshimeve, Elsa Lila u ka dhënë përgjigje.
“Në atë periudhë kisha AIR BNB timin personal, i cili është një aktivitet që në Romë më lejonte mua që të kisha një jetesë shumë të mirë krahas punëve të tjera artistike që bëja, sepse kam punuar shumë në studio”, u shpreh Lila./hej.al