Javën e ardhshme, linja më e madhe ajrore në Evropë, Ryanair, do të nisë fluturimet nga aeroporti i Tiranës. Qytetarët shqiptarë do të kenë mundësi të prenotojnë mbi 50 mijë vende në 17 destinacione evropiane, duke filluar nga 15 euro.
CEO i kompanisë, Micahel O’leary ndërsa zbriti në aeroportin e Tiranës bashkë me ekipin e tij vendosi të veshë bluzën e kombëtares dhe të marrë flamurin shqiptar në dorë dhe u shpreh i bindur se kompania që drejton do t’i tregojë shqiptarëve se çfarë do të thotë realisht, çmime të ulëta për udhëtimet e tyre.
“Ne do të nisim 17 destinacione të reja për në/nga Tirana, ku tashmë më shumë se 70% e vendeve te ofruara janë shitur për muajin e parë të operimeve. Oferta e lartë për sezonin dimëror të Ryanair në Tiranë me 17 destinacione, dhe mbi 200 frekuenca javore tregojnë kërkesën e jashtëzakonshme që ekziston për udhëtime me çmime vërtet të ulëta për ardhjen e turisteve në Shqipëri si dhe për qytetarët shqiptarë gjithashtu. Nga e marta e ardhshme do të përfundojë epoka e çmimeve të larta”,-tha Michael O’leary.
Kompania kërkon që brenda pesë viteve të jetë linja numër një ajrore në tregun shqiptar dhe të hapë bazën e saj në Rinas. Për CEO e RyanAir potenciali i Shqipërisë është ende i pazhvilluar./Hej.al