Partneri i Giorgia Melonit, Andrea Giambruno humbi edhe punën edhe gruan. Pas skandalit, Mediaset i dha duart: Ai nuk do të drejtojë më “Diario del Giorno”.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni pohoi të premten se ishte ndarë nga Giambruno, i cili punon si gazetar televiziv, e që javët e fundit është kritikuar për komente seksiste.
“Marrëdhënia ime me Andrea Giambrunon, e cila zgjati gati 10 vjet, përfundon këtu”, shkruante Meloni në llogaritë e saj në rrjetet sociale. “Rrugët tona kanë ndryshuar prej disa kohësh dhe ka ardhur momenti ta pranojmë një gjë të tillë”, shtoi ajo.
Meloni dhe Giambruno, të cilët u njohën në një studio televizive në vitin 2014, kanë një vajzë shtatëvjeçare. 42 vjecari ishte prezantues i një programi që transmetohet në rrjetin televiziv ‘Mediaset’, pjesë e grupit mediatik në pronësi të trashëgimtarëve të të ndjerit Silvio Berlusconi, ish-Kryeministër dhe aleat i zonjës Meloni.
Një tjetër program televiziv satirik që trajton çështje aktuale në Mediaset transmetoi pamje video ku shfaqej Giambruno duke përdorur gjuhë vulgare ndaj një kolegeje grua, duke u vetëprekur, e duke flirtuar me të, ndërsa e pyeste në mënyrë retorike: “Pse nuk të kam takuar më parë?!
Në një regjistrim të dytë audio ai dëgjohej tek thoshte se kishte një marrëdhënie me dikë si dhe duke u thënë kolegeve gra, se mund të punonin me të vetëm nëse përfshiheshin “në marrëdhënie seksuale”./Hej.al