Nga Lira Gjika
Shkencëtarët e quajnë imunitetin “inteligjenca e trupit” dhe si çdo inteligjencë mësohet dhe zhvillohet në fëmijëri. Imuniteti ka një veti që zhvillohet ose jo sipas raportit të njeriut me natyrën. Sa më shumë një fëmijë të luajë në natyrë, në parqe natyrale dhe të bëra nga njeriu, aq më i shëndetshëm e i sigurt bëhet.
Nëse prindërit e pengojnë fëmijën nga natyra me pretekstin se sëmuret dhe dëmtohet, në fakt nuk bëjnë gjë tjetër, por pengojnë pikërisht zhvillimin e inteligjencës së trupit që është imuniteti. Fëmija i shmangur nga aktivitetet fizike dhe sportive mbetet me rezistencë të ulët dhe pre e sëmundjeve si dhe në të njëjtën kohë me reflekse jo të mira të vetëmbrojtjes, pra këta fëmijë janë më të ekspozuar ndaj aksidenteve. Prindër me frikën tuaj ndaj natyrës dhe lojërave të “frikshme”, ju e pengoni fëmijën nga zhdërvjellësimi i reflekseve për vetëmbrojtje dhe pengoni zhvillimin e imunitetit. Kujdes prindër, lojërat në natyrë me vrapime, ngjitje në pemë apo në rrugë të përpjeta, larja në liqene apo pishina natyrore dhe artificial, janë vetëm shëndet për fëmijën tuaj.
Mos u trembni pse djersiti, u bë pis apo ka gërvishtur gjurin. Përpiquni të dalloni sa i gëzuar e i zoti është treguar./Hej.al