“Buzëqeshja dhe e qeshura i përket vetëm species tonë”. Morris D.
Shfaqja e të qeshurës reflekton, si tek vetja dhe tjetri, gjendje të mirë psiko-emocionale. Fëmija i qeshur dëshmon, se frika “nuk ka bërë fole” në shpirtin e tij. Ai dhe të rriturit qëndrojnë pranë dhe të përfshirë në jetën e njeri-tjetrit. E qeshura, fillimisht, shfaqet si përgjigje e veprimeve fizike që provokojnë kënaqësi. Më pas, me rritjen e fëmijës dhe maturimin e sistemit të tij nervor, e qeshura provokohet jo më vetëm nga veprime, por në radhë të parë nga njerëzit dhe marrëdhëniet që ndërtohen me ta. E qeshura bëhet mënyrë të sjelluri.
Ky argument fare mirë mund të zërë fill nga thënia “fëmijë inteligjent është padyshim ai që ka njohur babanë, por vetëm fëmija që ka njohur nënën mund të qeshë”. Pra, e qeshura shfaqet tek njeriu, në çastin kur ai njeh nënën. Fëmija që qesh ndjehet mirë me veten dhe me mjedisin. E qeshura, madje dhe tek i rrituri është tregues i gëzimit, i marrëdhënieve të mira, të sigurta ku kërcënimi dhe frika nuk mund të kenë ndikim.
Në të kundërt, fëmija që qan tregon se po e pushton frika.
Psiha e njeriut është produkt i një procesi të gjatë, i një investimi progresiv që ndërtohet në kohë. Ky proces është sa individual, aq dhe kolektiv. Nëna bashkë me fëmijën është faktori kryesor në këtë proces. Nëna me impenjimin e saj, nuk lejon që fëmija të pushtohet nga trishtimi dhe dyshimi se e ka harruar, apo nuk e kupton. Me pak kujdes dhe durim, nëna ndihmon fëmijën që ta kapërcejë këtë çast të shqetësuar dhe të qeshë përsëri, duke u rikonfirmuar siguria. Ajo vazhdimisht e asiston fëmijën në mënyrë që, gëzimi të bëhet “stofi” me të cilën do të “ndërtohet” psiha e tij. /Hej.al