Një tingull apo njoftim dhe ne menjëherë “rrëmbejmë” celularin! Ndodh kaq instinktivisht si veprim, sa edhe nëse kalojmë nëpër lajme të trishta, si lufta, viktima apo tërmete, njerëzit vazhdojnë të “shfletojnë” lajme virtualisht.
Shkrime, imazhe shqetësuese apo dëshpëruese, të gjitha kanë ndikim në gjendjen tonë mendore. Ky është fenomeni që ekspertët e quajnë “doomscrolling”.
-Por, çfarë është kjo?
E gjithë kjo ndodh kur ne vazhdojmë të lexojmë lajme të trishta, edhe kur ato na shqetësojnë. Fenomeni ka marrë këtë emër pikërisht nga përdorimi në masë dhe i përbashkët në të gjithë botën, ku njerëzit lexojnë virtualisht lajme lufte, viktimash, pandemi, vdekje, tërmete dhe plot kategori të tjera dhe sërish nuk ndalen.
Truri i përpunon fjalët negative më shpejt, më mirë dhe më intensivisht se fjalët pozitive dhe kjo do të thotë që ne i kujtojmë ato më shumë.
-Stresi që shkakton te njerëzit:
Leximi i lajmeve shqetësuese ndikon negativisht në nivelet tona të serotoninës. Ndihemi të lodhur, të tensionuar, nervoz, me humor të dobët, madje mund të shfaqen edhe probleme me gjumin.
-Roli i medias në dhënien e lajmeve të këqija;
Mediat e dinë se mund të gjenerojnë më shumë klikime nga lajmet e këqija, ndaj më shumë klikime do të thotë më shumë të ardhura nga reklamat dhe më shumë njerëz që rrinë në faqe në internet.
E rëndësishme është që të përditësohemi me lajmet dhe atë çfarë po ndodh në botë, por nuk është e thënë që të ndiqet çdo zhvillim 24/7. Nuk ka formulë magjike, por një mënyrë e mirë për të nisur ditën është të shmangni leximin e lajmeve në momentin që zgjoheni. Vendosini vetes një kohë të caktuar për të lexuar lajme, të tilla si 20-30 minuta pasdite. Mundohuni të shmangni qëndrimin nëpër internet pafund gjatë gjithë ditës.
Çaktivizoni njoftimet dhe lajmet e fundit dhe në vend të kësaj lexoni një përmbledhje ditore. Provojeni se mund të funksionojë edhe me ju!/DW