Deputetja Erisa Xhixho ishte sot e ftuar në Livingroom me Brunilda Lahe në VizionPlus. Xhixho tregoi për jetën, punën, mëmësinë dhe sfidat e politikës.
“Nuk i ndaj dot eksperiencat e mia, si atë të Fakultetit me këtë të Parlamentit. Përpiqem të jem juriste politikane. Masterin e kam realizuar në Londër dhe nëse sërish do kisha mundësi tani, do të shkoja përsëri në Londër për disa studime. Në Angli studentët ishin të lirshëm dhe bisedonin me pedagogët e tyre, ndryshe nga këtu. Atje kërkimi shkencor dhe puna në Universitet ishte baza për më tej në jetë.
Në atë periudhë bëja shumë sport dhe unë shëtisja pafund. I kam shijuar të gjitha momentet në Londër dhe atje ke shumë mundësi të organizohesh, unë isha në një organizim të Partisë Laburiste. Në Londër nuk ke shanse të mërzitesh.
Krahas juridikut, më ka pëlqyer muzika, kënga, aktrimi. Në makinë dëgjoj shumë muzik dhe e shfrytëzoj këtë hapësirë që më jepet për të dëgjuar muzik. Për momentin në shtëpi të gjithë po dëgjojmë këngën “Mora Fjalë” me të gjitha interpretimet.
Londra më ndihmoi të mësoja gatimin, sepse aty isha e detyruar por nuk është pika ime më e fortë. Megjithëse për fëmijët përpiqem që të jem unë ajo që gatuaj.”,u shpreh Xhixho./Hej.al